
Ambasadori gjerman mesazh anëtarëve të KLP: Mos u ndikoni në votimin për kreun e SPAK
Ndërkombëtarët kanë vënë në monitorim Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Java që vjen do të jetë shumë e ngjeshur për anëtarët e këtij këshilli pasi në datën 9 dhjetor do të zgjidhet kreu i ri i Byrosë së Hetimit dhe në datën 11 kreu i ri i SPAK.
Për kreun e BKH është propozuar emri i Joni Ketës dhe pritet të mos ketë surpriza. Ndërsa sa i takon kreut të SPAK janë në garë katër emra: Adnan Xholi, Klodian Braho, Doroleza Musabelliu dhe Elvin Gogaj.
Që në shtator SHBA-BE dhe ambasadori gjerman kanë pasur takime në KLP, pasi kanë dyshime se politika mund të ndërhyjë në proces. Takimet janë rikthyer dhe mesazhet kanë qenë të prera.
Ambasada gjermane njofton se ambasadori Bergner është takuar sot me Kryetaren e KLP-së, Mirela Bogdani dhe një sërë anëtarësh të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Ai nënvizoi rolin e rëndësishëm, që KLP luan në ruajtjen e pavarësisë, integritetit, cilësisë dhe efikasitetit të prokurorive në Shqipëri. Ambasadori inkurajoi Këshillin të kryejë detyrat e tij në mënyrë aktive, me përgjegjësi dhe vetëdije.
Bergner theksoi rëndësinë e zgjedhjes së ardhshme të pasardhësit në detyrë të Altin Dumanit si kreu i Prokurorisë së Posaçme SPAK: "Nën drejtimin e Altin Dumanit SPAK ka arritur suksese jashtëzakonisht të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit të të gjitha niveleve dhe krimit të organizuar. Është e rëndësishme që të vazhdojë të mbahet ky kurs. Ne kemi besim, se zgjedhja e ardhshme do të zhvillohet në mënyrë transparente dhe se çdo anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të orientohet në vendimin e tij vetëm prej përgatitjes profesionale të kandidatëve dhe integritetit të tyre të padiskutueshëm”.
Burime brenda sistemit tregojnë se takimet diplomatike me anëtarët e KLP-së do të vijojnë edhe gjatë ditëve në vijim. Vetë ambasada e SHBA ka qenë e prerë disa herë: “Integriteti i procesit për zgjedhjen e Prokurorit të Posaçëm të SPAK është thelbësor për vazhdimin e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe për forcimin e sigurisë së vendeve tona”. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe prezenca e BE. /Pamfleti
Lini një Përgjigje