Lexues të Pamfleti, ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Bllokimi pafat i aksit Librazhd-Prrenjas/ Goditja më e rëndë për ekonominë dhe sigurinë kombëtare
Konfederata e Industrive të Shqipërisë (Konfindustria) ka reaguar për bllokimin prej pesë ditësh të aksit rrugor që lidh Librazhd me Prrenjas, duke e cilësuar situatën si një nga goditjet më të rënda për ekonominë dhe sigurinë kombëtare.
Konfindustria thotë se ndërprerja e këtij segmenti strategjik rrezikon të shkaktojë pasoja të menjëhershme dhe afatgjata për ekonominë kombëtare, bizneset, industritë dhe prodhimin vendas
Ajo kërkon që qeveria dhe SPAK të ndërmarrin masa të menjëhershme për zgjidhjen e situatës.
Në reagim theksohet se, nëse gjendja nuk zgjidhet shpejt, rrezikohen humbje të mëdha financiare, rritje kostosh për bizneset dhe pasoja të rënda deri në falimentime të mundshme.
Mëngjesin e kësaj të mërkure ka nisur zyrtarisht heqja e plotë e urës së Dragostunjës, në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”, në segmentin kombëtar Librazhd–Prrenjas.
Struktura u shpall e pakthyeshme pas dëmtimeve të rënda të shkaktuara nga lëvizjet e tokës, të cilat goditën themelet dhe e nxorën jashtë funksioni.
Sipas ekspertëve në terren, një rrëshqitje e fuqishme e masivit ka shkaktuar zhvendosje të trupit të rrugës dhe çarje të shtresave mbajtëse, duke e bërë të pamundur çdo ndërhyrje riparuese. Për shkak të rrezikut që paraqiste për qarkullimin, u vendos shembja e kontrolluar e saj.
Kreu i SPAK thirret në Bruksel/ BE-ja kërkon prova në luftën kundër korrupsionit
Kreu i SPAK, Klodian Braho është thirrur më 3 mars në Bruksel në një takim ku diskutohen çështjet e drejtësisë dhe antikorrupsionit në vendin tonë.
Në axhendën e miratuar të martën pasdite nga ambasadorët e 27 shteteve anëtare thuhet se takimi i 7-të i Komitetit të Drejtësisë dhe Sigurisë do të përqendrohet në reformat kritike të integrimit, konkretisht në sigurimin e pavarësinë se gjyqësorit, sundimin e ligjit si dhe veprimet konkrete kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në materialin paraprak theksohet gjithashtu se Shqipëria duhet që të vijojë përpjekjet e saj për të forcuar zbatimin e ligjit, përafrimin e politikave të vizave dhe menaxhimin e migracionit të paligjshëm.
Rezultatet operacionale kërkohen gjithashtu në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të drogës, veçanërisht kundër kultivimit të kanabisit, dhe për të parandaluar pastrimin e parave. Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, pritet të jetë gjithashtu i pranishëm në këtë takim.
Ky takim shihet si një test provë për rezultatet konkrete që zyrtarët shqiptarë do të paraqesin përpara se shtetet anëtare të BE-se të vendosin nëse do t’i japin dritën jeshile raportit paraprak IBAR për Shqipërinë që ka të bëjë me zbatimin e kritereve të kapitujve 23-24 që përfshijnë pavarësinë e gjyqësorit, një raport pa aprovimin e të cilit nuk nis procesi i mbylljes së grupkapitujve të negociatave të pranimit.
Nuk i ndalim protestat!/ U shoqëruan në polici, lirohen 6 protestuesit e Rrjollit
Banorët e Rrjollit, të cilët u arrestuan nga policia një ditë më parë, janë liruar këtë të mërkurë.
Policia shoqëroi gjashtë persona pas tensioneve të krijuara për shkak të kundërshtimit të punimeve që, sipas banorëve, po kryhen në tokat e tyre. Situata në zonë mbetet e tensionuar, ndërsa banorët deklarojnë se nuk do të tërhiqen.
Njëri prej të shoqëruarve foli para mediave sapo doli nga ambientet e policisë dhe paralajmëroi vazhdimin e protestës.
“Është hera e 10 që shoqërohem nga 5 orë. Ditën e shtunë kam qëndruar 30 orë i ndaluar. Prokuroria e Shkodrës e ka quajtur të paligjshëm ndalimin tim. Kjo është për shkak të një polici që ka qejf të merret me mua. Ne nuk do të ndalim protestat. Do të jemi deri në fund, deri sa të fitojmë. Nuk na ndalon asgjë që të mbrojmë pronën tonë. Nuk e fal pronën, jam betuar. Do të jenë prona jonë, deri në fund, me çdo çmim”, është shprehur një prej tyre teksa ka lënë ambientet e policisë.
Banorët e Rrjollit deklarojnë se do të vijojnë kundërshtimin ndaj punimeve dhe do të kërkojnë mbrojtjen e pronës përmes protestave të paralajmëruara në ditët në vijim.
Zbardhet axhenda/ Rama mbledh nesër Grupin Parlamentar të PS
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të drejtojë nesër mbledhjen e Grupit Parlamentar, ku pritet të përcaktohet qëndrimi i mazhorancës lidhur me kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit për dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut.
Mbledhja do të nisë në orën 11:00 dhe do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave. Sipas rendit të ditës, mbledhjen do ta hapë Edi Rama, ndërsa më pas do të vijojnë raportimet e ministrave.
Do të raportojnë Ministri i Financave Petrit Malaj, Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu, Ministri i Mbrojtjes Piro Vengu, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Evis Sala, Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo dhe Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari. Në përfundim do të marrë fjalën Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla.
Pas mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, Taulant Balla deklaroi se kjo do të jetë mbledhja e parë e grupit që do të vendosë për çështjen e Belinda Ballukut. Deputetët socialistë do të dëgjojnë edhe relatimin e Ulsi Manjës, bazuar në paraqitjen e prokurorëve të SPAK në Këshill.
Për më shumë klikoni tek lajmet e orës 12.00
Lini një Përgjigje