Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Paralajmërimi i SHBA për sulme nga Irani
Ministrat e Ramës e mohojnë: Nuk ka vend për panik
Ministrat e kabinetit Rama kanë reaguar njëzëri për njoftimin nga Ambasada Amerikane në Shqipëri, që u bëri thirrje shtetasve të saj që ndodhen në vendin tonë, për të treguar kujdes të shtuar dhe të shmangin vende të mbipupulluara apo turistike pasi grupe të lidhura me Iranin, mund të sulmojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante.
Ndërkohë Partia Demokratike ka ngritur në Kuvend shqetësimin pas paralajmërimit të Ambasadës së SHBA-ve për sulme të mundshme nga Irani në Shqipëri dhe ka kërkuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi tha se se nuk ka vend për panik dhe qytetarët shqiptarë duhet të jenë të qetë, pasi sipas tij janë të sigurt.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari gjithashtu tha se ka pasur komunikime të drejtpërdrejta të strukturave të dedikuara të policisë me ambasadën amerikane dhe s’ka një rrezik real. Ai tha se Shqipëria ka marrë masa të shtuara sigurie në raport me zhvillimet ndërkombëtare.
Edhe ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u shpreh se nuk ka asnjë arsye për të qenë të alarmuar, pavarësisht paralajmërimit të Ambasadës Amerikane.
Pse janë ngadalësuar negociatat?
Ministri i jashtëm: Duhen dy për tango, por ne na duhen tre
Kryeministri Edi Rama ditën e sotme gjatë një bashkëbisedimi me të rinj studentë se Shqipëria ndodhet për herë të parë në histori në një moment ku fati po u buzëqesh shqiptarëve, sa i takon integrimit në BE.
Kreu i qeverisë theksoi se nuk jemi në kushtet ku ka një ngadalësim të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Një prej studentëve të pranishëm në bashkëbisedimin, pyeti cilat janë 3 pengesat që po e ngadalësojnë procesin për të hyrë në BE.
Përgjigjen ia ktheu ministri i Jashtëm Ferit Hoxha që tha se procesi përfshin 3 aktorë dhe procesi nuk është ngadalësuar, por është në ritmin e duhur.
“Zakonisht, tango bëhet me 2. Kjo tangoja jonë kërkon 3. Ne jemi ne që të bëjmë detyrat e shtëpisë, të jemi të besueshëm dhe i dyti është Komisioni Europian. Me ata punojmë nga mëngjesi deri në darkë. Është Komisioni i cili është i mandatuar nga 27 vendet anëtare që të bindet që të bëjë avokatin tonë te vendet anëtare. Shqipëria duhet të bindë vendet anëtare që marrim përgjegjësinë për të vepruar. Absolutisht asnjë gjë nuk është ngadalësuar. Jemi në ritmin që kemi përcaktuar bashkarisht me Komisionin Europian. Është avokati më i mirë që kemi pasur. Jemi në momentin kur duhet të japim provimin më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë”, tha Hoxha.
Hidhet shorti
Caktohet gjyqtarja që do të shqyrtojë dosjen e Metës dhe Kryemadhit
Etleva Deda është caktuar me short elektronik si një nga gjyqtaret relatore për shqyrtimin e dosjes që përfshin Ilir Metën, Monika Kryemadhin, Fatime Kryemadhin, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun. Ajo do të punojë së bashku me dy gjyqtaret e tjera, Atalanta Zeqiraj dhe Besmir Stroka.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim ish-Presidentin Ilir Meta, ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, nënën e kësaj të fundit Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun, në kuadër të hetimit për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie për aferën CEZ-DIA dhe lobimin në SHBA.
Hetimi i SPAK ka nisur në vitin 2019 dhe është zgjeruar në vitet pasardhëse në bazë të kallëzimeve të ndryshme, të cilat u bashkuan në një të vetëm në vitin 2024.
Sipas akuzës, Meta akuzohet për korrupsion në 3 raste të ndryshme, 2 prej të cilave i ka kryer në bashkëpunim.
Ish-Presidenti akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, pastrim parash e mosdeklarim pasurie.
Ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në 2 raste, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Pirro Xhixho akuzohet gjithashtu për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim.
Kurse mamaja e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.
Pas emërimit të Hitës
Oliger Torba komandohet në krye të Policisë së Fierit
Pas emërimit të Skënder Hitës në krye të Policisë së Shtetit, janë reflektuar menjëherë ndryshime në strukturat vendore të policisë.
Në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, vendi i lënë vakant nga Hitaj është plotësuar përkohësisht nga Oliger Torba, i cili është komanduar në këtë detyrë deri në emërimin e një drejtuesi të ri.
Torba nuk është një emër i panjohur në strukturat e policisë lokale, pasi më herët ka mbajtur detyrën e nëndrejtorit të Policisë Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë së Qarkut Fier.
Pas detyrës si shef i komisariatit nr. 5 në Tiranë, Oliger Torbës iu dha detyra e zëvendës drejtorit në Drejtorinë e Qarkut Fier.
Për më shumë, klikoni në linkun e orës 12.00
Lini një Përgjigje