Aktualitet12 Maj 2023, 18:06

Vettingu/ Shkarkohen prokurori i Tiranës dhe gjyqtari i Durrësit, ankimohet në KPA vendimi për Naim Totën

Shkruar nga Pamfleti

Vettingu/ Shkarkohen prokurori i Tiranës dhe gjyqtari i Durrësit,

Prokurori i Tiranës Sokol Malaj dhe gjyqtari i Durrësit Petraq Çuri janë shkarkuar sot nga detyra.

Vendimi për Malajn u mor pas një seance dëgjimore në të cilën Komisioni vuri në dukje se atij i ishte kaluar barrë prove për zotërimi i aksioneve në një kompani të transportit të naftës. Në seancë  dëgjimore u tha se dukej sikur Malaj “ka vepruar në papajtueshmëri me detyrën e prokurorit”.

KPK i kishte kaluar barrë prove prokurorit sa i përket dyshimeve se ai kishte qenë në shkelje të ligjit “Për prokurorinë” deri në vitin 2016 dhe më pas në shkelje të ligjit 96/2016 për “Statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” dhe me Kushtetutën.

Gjyqtari Petraq Çuri i Gjykatës së Durrësit u përball  më 10 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për balancat negative në vlera të mëdha para fillimit të detyrës kur ai ushtronte detyrën e avokatit, si dhe gjatë periudhës kur ka ushtruar funksionin. Po ashtu, u vërejt se nuk kishte qenë krejtësisht bashkëpunues gjatë hetimit administrativ. Çuri pretendoi se kishte përmbysur barrat kërkoi riçeljen e hetimit edhe për dy kriteret e tjerë të rivlerësimit, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Po sot, Komisioneri Publik ankimoi vendimin e KPK për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Naim Tota. Ankimi bazohet në rekomandimin e Operacionit Ndërkobëtar të Monitorimit, ONM, të bërë publik më 2 maj.

Tota u konfirmua në detyrë prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK me shumicë votash më 10 mars 2023, pasi shpjegimet e tij për barrat e provës në kriterin e pasurisë dhe gjetjet për profesionalizmin, u konsideruan bindëse nga shumica e përbërë nga komisioneret Brunilda Bekteshi dhe Pamela Qirko.

Anëtari në pakicë, Roland Ilia kërkoi shkarkimin e Totës, duke çmuar se ai nuk kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë. Sipas Ilias, subjekti nuk dha shpjegime bindëse për një apartament të blerë nga kunati në vitin 2016 nëpërmjet një kontrate cedimi, pasuri për të cilën u ngritën fillimisht dyshime se ishte fshehur për 12 vjet, pasi ishte përdorur vetëm nga prokurorit Tota prej vitit 2004. 

vetingu drejtesia