Aktualitet22 Tetor 2023, 16:46

Zbardhet rrëfimi në SPAK i Bektashit: Malltezi e Begeja pronarët në hije të “Homeplan”, ramë dakord verbalisht!

Shkruar nga Pamfleti

Zbardhet rrëfimi në SPAK i Bektashit: Malltezi e Begeja pronarët

Jamarbër Malltezi dhëndëri i ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Xhimi Begeja, rezultojnë të kenë qenë pronarët në hije me 60 për qind të aksioneve në kompaninë e ndërtimit “Homeplan”, që ngriti 17 kulla banimi tek fusha e ish-kompleksit “Partizani”.

Në materialin e siguruar nga “Ora News” del qartë se të dy personat kishin lidhur një marrëveshje verbale me biznesmenin Fatmir Bektashi, dhe se përfitimet financiare nga “Homeplan” i merrnin përmes llogaritjes së dividentit. Eurot ose lekët merreshin cash dhe përmes transaksioneve bankare.

Një fakt të tillë e ka pranuar vetë i hetuari Fatmir Bektashi, i cili gjatë marjes në pyetje në prokurori ka treguar se:

”…unë i qëndroj deklarimeve të mia se shoqëria “Homeplan” është krijuar që në fillim me një marrëveshje verbale me shtetasit Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja, ku këta persona do ishin investitorë në formën e ndikimit tek pronarët e tjerë që të lidhnin kontratat e investimit me “Homeplan”. Por vetëm në vitin 2014 mesa shoh nga dokumenti është formalizuar juridikisht…”.

Në dëshminë që ai ka dhënë në SPAK, tregohet se roli i tij në përpilimin e dokumenteve të kompanisë ka qenë thuajse në hije, pasi sipas tij të gjitha dokumentet i bënte e Andia Pustina, e besuara e Jamarbër Malltezit.

“…të gjitha aktet që lidhen me aktivitetin e shoqërisë “Homeplan” si nga ana financiare dhe juridike i kanë përgatitur shtetaset Andia Pustina dhe Laura Pustina dhe unë vetëm i nënshkruaja. Dua të sqaroj se shoqëria “Homeplan” nuk ka pasur asnjëherë arkë dhe çdo gjë, çdo veprim financiar është kryer nëpërmjet llogarive bankare. Edhe tërheqja e dividentit kryhet në të njëjtën mënyrë. Edhe në lidhje me vendimmarrjet e shoqërisë “Homeplan” unë nuk kam ndonjë rol, pra që të shpreh mendim për vendimet e shoqërisë. Unë nuk kam marrë pjesë pra në procesin e vendimmarrjes por vetëm i nënshkruaja ato që përpilonte Andia Pustina. Për nënshkrimin e çdo akti që lidhet me shoqërinë “Homeplan” unë shkoj tek zyra e Andia Pustinës, që ndodhet përballë librit Universitar dhe i nënshkruaj aty. Mua me telefonon Andia për të vajtur dhe për të nënshkruar…” - ka deklaruar Fatmir Bektashi.

Më tej biznesmeni Bektashi ka treguar se:

“…kur u arrit privatizimi dhe u kthyen tokat, a krijua shoqëria “Homeplan” si shoqëri investitore me qëllim që të ndahej investitori nga ndërtuesi. Ku ndërtues do të ishte shoqëria “Kontakt”. Tek shoqëria “Homeplan” unë kam qenë në pakicë pasi unë kam pasur vetëm 40 për qind të kuotave kurse Jamarbër Malltezin me Xhind Begene kanë pjesë tjetër prej 60 për qind të kuotave. Në dijeninë time veprimet për regjistrimin e shoqërisë “Homeplane” i ka kryer notere Laura Pustina. Jamarber Malltezi dhe Xhimi Begeja morën përsipër që të bindnin pronarët e tokës për të nënshkruar marrëveshjen me pronarët e kompanisë për ndërtim. Këtë gjë ata të dy e kanë bërë që në fillim, kur unë mora përsipër që të paguaja shumën që duhej për privatizimin e objekteve të klubit të futbollit “Partizani”. Nuk më kujtohet kur është nënshkruar marrëveshja me familjet pronare, që vinin në dispozicion truallin për ndërtim. Jamarbëri Malltezi dhe Xhimi Begeja nuk kanë futur lekë në shoqërinë “Homeplan” por kontributi i tyre i vetëm ishte bindja e bashkëpronarëve të tjerë për të bërë marrëveshje për të vënë tokën në dispozicion të ndërtimit. Gjithashtu Jamarbëri dhe Xhimi pranuan që të shisnim me çmim të ulët objektet që do ndërtonim…”.

Fatmir Bektashi në dëshminë e tij të dhënë në SPAK, ka treguar se:

“…konceptualisht Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja kanë qenë gjithmonë pjesë e shoqërisë “Homeplan”, pavarësisht kur janë pasqyruar gjërat në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Ne kemi pasur marreveshje verbale me Janarber Malltezin dhe Begenë, ku unë kam pasur vetëm 40 për qind të kësaj shoqërie. Këtyre dy personave, Jamarbërit dhe Xhimit po me marrëveshje verbale i kam thënë që të caktonin ata vetë përfaqësuesin e tyre për financat e shoqërisë “Homeplan”. Dhe ata kanë pasur si ekonomiste, pra përfaqësuesin e tyre për të mbajtur bilancet e “Homeplan” Andia Pustina. Kurse unë për veten time, kam pasur një financiare të punësuar. Ligjërisht çdo dokument financiar e çoja unë tek Andia. Raportet i mbaja unë me Andian dhe e çoja muaj për muaj. Andia i fuste gjithçka në bilancet e “Homeplane”.

Në lidhje me nënshkrimin si ortak i vetëm në shoqërinë “Homeplan”, Fatmir Bektashi ka pohuar se:

“…me çdo letër të shoqërisë “Homeplan” është marrë Andia Pustina e cila është motra e noteres Laura Pustina dhe unë deklarim të hollësishëm mund të jap vetëm pasi të konsultohem me Andian dhe dokumentacionin e mbajtur prej saj. Unë di të them që “Homeplan” është krijuar që në fillim bashkë me dakordësinë e Jamarbër Malltezit dhe Xhimi Begesë, ku ata do të quheshin investitorë pavarësisht se prej tyre nuk u dha asnjë lekë, por kishin marrë përsipër të bindnin pronarët e tokës për të lidhur marrëveshje për realizim ndërtimi. Çdo dokument është përgatitur tek notere Laura Pustina, në lidhje me shoqërinë “Homeplan”. Tek kjo notere është përgatitur dhe marrëveshja e investimit që kam lidhur me Jamarbër Malltezin dhe Xhimi Begeja. Unë aktualisht nuk mbaj asnjë dokument të shoqërisë “Hameplan”, pasi i mban Andia Pustina…”.