Pamfleti ka siguruar evidenca të mjaftueshme se rrjeti i Amant Josifit jo vetëm që nuk u shua pas goditjes së nëntorit 2022, por u transformua në një strukturë më të sofistikuar kriminale, duke kaluar nga call center-at fizikë në një ekosistem dixhital mashtrimi me fasadë “asistencë për kriptovaluta”.
Lidhja e tyre është aq e ngushtë, sa sipas burimeve mediatike dhe hetimore, ish-punonjës të call center-ave të Josifit, që deri në vitin 2021 merrnin rroga modeste si operatorë e menaxherë të nivelit të ulët, në vetëm tre vjet janë shndërruar në pronarë kompanish ndërtimi që investojnë qindra mijëra euro cash dhe zotërojnë apartamente me vlerë miliona euro.
Si u transformua skema kriminale
Në periudhën 2015–2022, rrjeti i Josifit funksiononte si një infrastrukturë mashtrimi në shkallë industriale. Platforma false investimi si CryptoKartal, AurumPro, Virtual Stocks, Absolut Global Markets dhe dhjetëra të tjera, të gjitha të koordinuara nga Milton Group, përdornin softuer të specializuar për të simuluar tregtime. Operatorët e trajnuar silleshin si “këshilltarë investimi” dhe menaxhonin viktimat përmes një CRM të avancuar. Dëmi total i pretenduar nga autoritetet spanjolle arrin në 2.4–2.5 miliardë euro.
Por kulmi i kësaj skeme nuk ishte vetëm mashtrimi. Sipas dosjes gjermane që çoi në dënimin e Mikheil Biniashvilit, i njohur si “Mishka”, softueri PumaTS nuk shërbente vetëm për operacionet e Milton Group, por u shit edhe grupeve të tjera kriminale. Gjykata gjermane i atribuoi dhjetëra milionë euro dëme shtesë operacioneve që përdorën këtë softuer. Kjo do të thotë se Josifi dhe rrjeti i tij nuk ishin thjesht pjesë e një organizate kriminale, por përfaqësonin një model 'franchising' kriminal, të shpërndarë në Shqipëri nëpërmjet prestanomeve të tij.
Pas bastisjeve të SPAK-ut më 8-9 nëntor 2022 dhe arrestimit të programuesve e administratorëve të call center-ave, Josifi u arratis në Dubai. Por rrjeti nuk u shua. Ajo që ndodhi në dy vitet e fundit është një transformim i thellë i modelit kriminal.
FAZA E RE: “Asistenca Crypto” si fasadë zhvatjeje
Nga viti 2024 e deri më sot, hetimet kanë dokumentuar se rrjeti i Josifit ka kaluar në një fazë të re veprimtarie, e cila maskohet si shërbime legjitime “asistence për kriptovaluta”. Në Instagram, Facebook, TikTok dhe Telegram, profile dhe faqe që duken si kompani këshillimi financiar ofrojnë “asistencë për investime në crypto” dhe “shërbime konvertimi cash në kriptovaluta”.
Në pamje të parë, këto janë biznese legjitime. Por sipas të dhënave të siguruara nga hetimi, ato përbëjnë fasadën e një skeme të re zhvatjeje. Viktimat kontaktojnë për të marrë ndihmë për investime dhe më pas ekspozohen ndaj një procesi të mirëorganizuar mashtrimi. Modeli “3 përqind fee” për konvertimin e parave të gatshme në USDT është vetëm hyrja. Pasi viktima futet në sistem, ajo tërhiqet në platforma false tregtimi, ku fitimet janë të simuluara dhe tërheqja e fondeve bëhet e pamundur.
BIRN/Balkan Insight ka raportuar se Shqipëria është kthyer në një hub të industrisë së mashtrimit financiar dhe se vetëm në vitin 2024, SPAK kishte 11 hetime aktive për mashtrime me call center nga grupe të strukturuara kriminale. Por ajo që po ndodh tani nuk është thjesht një vazhdim i modelit të vjetër. Sipas të njëjtit raport, skema moderne nuk mbështetet më vetëm te telefoni, por te një ekosistem i tërë: softuer, CRM, faqe web me jetë të shkurtër dhe social engineering.
Pastrimi i parave në Shqipëri: Nga Call Center-at te ndërtimi dhe rrjeti i fast-food-eve
Aleksandër Josifi, babai i Amant Josifit, figuron si administrator i disa kompanive të themeluara gjatë viteve kur i biri po ndërtonte perandorinë e call center-ave. Kompanitë në emër të tij kanë pasur si objekt veprimtarie tregtinë e materialeve të ndërtimit dhe shërbimet e transportit, por sipas hetimit, ato kanë shërbyer si shtresë shtesë për kanalizimin e fondeve drejt investimeve në pasuri të paluajtshme, duke ndjekur të njëjtin model prestanomesh që përdoret sot nga ish-punonjësit e rrjetit.
Kompania CONSTRUCTION 21, e lidhur drejtpërdrejt me Amant Josifin dhe ortakun e tij gjeorgjian Revaz Saakadze, ka kryer punimet e rrjeteve të KFC dhe Pizza Hut në Shqipëri. Saakadze, i njohur në dosjet ndërkombëtare si “ideator i skemave mashtruese me forex në Europë” dhe ortak i Josifit në call center-at e Milton Group, figuron së bashku me Aleksandër Josifin, babain e Amant Josifit, në kompaninë e ndërtimit Balkan Investment Group, e dyshuar për pastrim parash. Për të fshehur lidhjet, aksionarët kanë dalë përmes kompanive CONSTRUCTION 21 dhe NEW STANDARD. Nëpërmjet kësaj strukture, qindra miliona euro të zhvatura nga viktimat europiane janë kanalizuar në ndërtimin e rrjeteve të fast-food-it, duke e kthyer KFC dhe Pizza Hut në një nga lavatriçet më të mëdha të parasë së zezë në Shqipëri. (vijon) /Pamfleti
Lini një Përgjigje