Ja kush janë biznesmenët që po kalojnë në sitë nga SPAK për aferat me rrugët…
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë autorizim nga Gjykata e Posaçme për të vijuar këqyrjen dhe analizimin e pajisjeve elektronike të sekuestruara në kuadër të hetimit për aferat me rrugët.
Vendimi është firmosur nga gjyqtari Erion Çela dhe i hap rrugë analizës së celularëve dhe kompjuterëve të ish-zyrtarëve Erald Elezi dhe Gentian Gjyli, të cilët kanë mbajtur poste drejtuese në KESH dhe ARRSH dhe janë nën hetim për procedura prokurimi të dyshuara si abuzive.
Hetimi, që po drejtohet nga prokurorët Klodian Braho, Dorina Bejko dhe Dritan Prençi, nuk do të kufizohet vetëm tek ish-zyrtarët, por do të shtrihet edhe tek pajisjet elektronike të disa biznesmenëve dhe kompanive të ndërtimit që kanë përfituar tendera publikë. Në fokus do të jenë komunikimet përmes platformave si WhatsApp, Signal dhe email-et zyrtare, me synim identifikimin e kontakteve të mundshme, marrëveshjeve informale apo ndërhyrjeve në procedurat e prokurimit.
Procesi i këqyrjes kishte mbetur pezull për një periudhë për shkak të pritjes së një interpretimi nga Gjykata Kushtetuese lidhur me procedurat e sekuestrimit dhe respektimin e privatësisë, por pas këtij zhvillimi, Gjykata e Posaçme i ka dhënë dritën jeshile SPAK për të vijuar me analizën e plotë të provave digjitale.
Në kuadër të këtij hetimi, më 26 dhjetor të vitit të kaluar janë ushtruar kontrolle në disa prej kompanive më të mëdha të ndërtimit në vend, përfshirë “Gener 2” të Bashkim Ulajt, fituese e tenderit për rrugën Thumanë–Kashar, si dhe “Nova Construction – 2012” të Ilir Shtufit, pjesë e Lotit 4 të Unazës së Madhe në Tiranë. Kontrollet janë zgjeruar më pas edhe tek “Alko Impex” e Arbër Abazit, “2T” e Artan Sakos, “GPG Company” e Paqsor Buzit, “Senka” e Ylli Senkës, kompania “Albstar” dhe “Salillari” e Pëllumb Salillarit, të gjitha të përfshira në projekte të mëdha infrastrukturore, kryesisht në segmentet e Unazës së Madhe të Tiranës. Pas vendimit sot, SPAK do të hapë celularët dhe pajisjet e tjera kompjuterike të biznesmenëve.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se fillimisht vëmendja ka qenë e përqendruar tek dokumentacioni i sekuestruar në Ministrinë e Infrastrukturës, por me avancimin e çështjes dhe daljen e të dhënave të reja është rritur edhe intensiteti i veprimeve hetimore. Nga një grup i vogël hetuesish në fillim, tashmë janë angazhuar të paktën 10 oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët po analizojnë në mënyrë të detajuar provat digjitale dhe materiale të tjera të sekuestruara.
Faktet e deritanishme tregojnë për një hetim në zgjerim, që synon të zbardhë nëse ka pasur bashkëpunim të paligjshëm mes zyrtarëve publikë dhe operatorëve ekonomikë në procedurat e tenderimit, ndërsa çdo përfundim për përgjegjësi penale mbetet në vlerësimin përfundimtar të organit të akuzës dhe gjykatës. /Pamfleti
Lini një Përgjigje