Pas “Paketës së Maleve” dhe bregdetit, Edi Rama ka kaluar në fushat e futbollit: projektet e stadiumeve në Tiranë, Durrës, Korçë e Vlorë shërbejnë për të justifikuar ndërtimin e kullave, hoteleve dhe qendrave tregtare në 153 mijë metra katrorë hapësira publike.
Nën maskën e modernizimit të sportit, qeveria ka projektuar grabitjen më të madhe urbane të dekadës. Fituese e projektit për stadiumin e Durrësit është kompania “51N4E”, ku punon vajza e Linda Ramës, dhe “Plan Comun”, e lidhur me vetë kryeministrin.
Ndërkohë, pronat publike përreth stadiumeve po kthehen në terrene ndërtimi për oligarkët e ndërtimit, të afërmit e Ramës dhe politikanë të opozitës që përfitojnë përmes firmave të sapokrijuara.
Në Shqipëri, çdo “projekt kombëtar” është më shumë projekt ndërtimi sesa zhvillim publik.
Këtë herë, kryeministri Edi Rama ka veshur me fanellën e futbollit një tjetër operacion për grabitje pronash, që e quan “modernizimi i infrastrukturës sportive”.
Në fakt, bëhet fjalë për një plan ndërtimor prej 260 milionë eurosh, që përfshin katër stadium, në Tiranë, Durrës, Korçë dhe Vlorë, që në çdo rast shoqërohet me kulla, hotele, qendra tregtare dhe komplekse luksoze.
Projekti për stadiumin e Durrësit, i paraqitur si simbol i futbollit modern shqiptar, është skema e përsosur për të betonizuar 153 mijë metra katrorë hapësira publike, përmes një rrethi ndërtimesh private që shtrihet përreth stadiumit “Niko Dovana”.
Familja Rama në zemër të projektit
Sipas dokumenteve që disponon “Pamfleti”, fituese e projektimit është kompania holandeze “51N4E”, ku punon vajza e Linda Ramës, dhe kompania franceze “Plan Comun”, që ka bashkëpunuar më herët me Edi Ramën në projekte urbanistike në Tiranë.
Këto kompani, të përzgjedhura nga komisioni i drejtuar personalisht nga kryeministri, janë vetëm fasada e një skeme që fsheh ndërtuesit realë: oligarkë të sektorit të ndërtimit, trafikantë të pastrimit të parave dhe biznese të lidhura me Olsi Ramën.
Burime të brendshme konfirmojnë se përveç kompanive të njohura, në projekt janë përfshirë firma të sapokrijuara nga politikanë të PD-së, të afërta me grupet “Troplini” dhe “Hajri”, që kontrollojnë një pjesë të madhe të ndërtimit në Durrës.
Ky bashkëpunim i heshtur PS–PD është garanci për një ndarje të qetë të përfitimeve, në një biznes që ka si qëllim konvertimin e pronave shtetërore në pasuri private.
153 mijë metra katrorë dhuratë për ndërtuesit
Sipas planit të detajuar të miratuar nga Korporata e Investimeve Shqiptare, e drejtuar nga Elira Kokona, ish-zv/sekretare e përgjithshme e Kryeministrisë, projekti përfshin pesë zona investimi:
1. Zona e Stadiumit (27,037 m²) - rindërtimi i arenës sportive.
2. Zona e parë jashtë stadiumit (32,715 m²) - ndërtim kompleksesh shumëfunksionale me zyra, hotel, bibliotekë, qendra tregtare dhe argëtimi.
3. Zona e dytë jashtë stadiumit (28,598 m²) - ndërtesa banimi, njësi prodhimi dhe zyra biznesi.
4. Zona e tretë jashtë stadiumit (18,597 m²) - godina banimi dhe tregtare.
5. Zona e katërt - “Hotel Fari” (11,562 m²)- një kompleks luksoz me restorante, salla konferencash dhe ambiente relaksi.
Në total, 118,509 m² janë caktuar për ndërtim të menjëhershëm privat, ndërsa 34,491 m² hapësira publike do i “dhurohen” zhvilluesit për të ndërtuar pallate dhe trotuare komerciale.
Kështu, projekti që Rama e prezanton si “rikthim i jetës sportive”, është në fakt një plan masiv urbanizimi që zhduk çdo metër të gjelbër dhe çdo pronë publike përreth stadiumeve.
Pastrimi i parave dhe oligarkët e përbashkët
Burime nga Drejtoria e Tatimeve dhe strukturat e ndërtimit konfirmojnë se disa nga kompanitë që do të marrin në dorë projektet e stadiumeve janë krijuar vetëm pak muaj më parë, pa kapital real, me përfaqësues formalë dhe me strukturë pronësie të mbuluar përmes kompanive off-shore.
Në to përfshihen emra të njohur të ndërtimit të lidhur me përfitimet e kullave në Tiranë, ndërsa investimet po prezantohen si bashkëfinancime private me “fonde ndërkombëtare” që nuk ekzistojnë në asnjë bankë të huaj.
Ky mekanizëm është identik me atë të përdorur në projekti “Arena Kombëtare”, ku kompania ndërtuese mori pronat publike përreth, duke ndërtuar kulla dhe qendra tregtare që sot gjenerojnë miliona euro fitim, ndërsa federata e futbollit dhe qytetarët nuk morën asgjë.
Një tjetër skemë e pushtetit: betoni mbi sportin
Në letër, Rama promovon futbollin si “arsim qytetar”, por në realitet i ka shndërruar stadiumet në pasuri ndërtimore.
Kjo është faza e re e projektit të tij për konvertimin e çdo prone publike në biznes privat.
Pas plazheve, pyjeve dhe maleve, tani është radha e stadiumeve; tokat më të shtrenjta të qyteteve shqiptare, që po kalojnë në duart e një rrethi të mbyllur ekonomik e politik.
Në përfundim, projekti i stadiumeve nuk ka të bëjë me sportin, por me betonin.
Nën parullën “për futbollin”, Edi Rama ka vënë në lëvizje të njëjtën skemë korrupsioni që shkatërroi urbanistikën e Tiranës: kompani të familjes, oligarkë të ndërtimit, trafikantë që pastrojnë para dhe politikanë të opozitës që bashkëpunojnë në heshtje.
Nëse bregdeti ishte “parajsa” e pastrimit të parave të qeverisë, tani fushat e futbollit janë kthyer në kantierët e rinj të pasurimit të familjes kryeministrore./Pamfleti
Opozitë- mazhorancë 'grinden' në komisionet parlamentare , ndërsa më të ngeshmit Deputet të PD dhe soji e sorollopi i tyre, do bëjnë të revoltuarin në bulevard. Aty ku në 21 janarin e 2011, bashkarisht përsëritën 2 Prillin e Shkodrës. 4 qytetarë u vranë në Shkodër dhe 4 qytetarë u vranë në Tiranë para Kryeministrisë. Mesazhi që përcollën ishte: mos guxoni të protestoni! Tepsia është e jona ! Kur nuk zihemi Ne që ngulim lugën në tepsi :çfarë dreqin keni Ju! Ne jua ofruam goxha tortë te pallati i kulturës dhe Ju u zutë me njeri tjetrin!.
Ore Gjergj Zefi,ndertime do behen Shqiperia nuk do rrije ne vend,do zhvillohet! Cili eshte halli tend se nuk po merret vesh?