
Klodian Kapiti, i prezantuar si mbështetës i PD-së kundër korrupsionit, rezulton ortak me trafikantin Gjergj Luca në kompaninë që administron Portin e Peshkimit në Durrës, ku banda “Luca-Beu” trafikonte kokainë, heroinë e marijuanë drejt Italisë...
Gjatë takimit të Sali Berishës në Durrës kundër korrupsionit dhe mafies së porteve, një nga folësit, Klodian Kapiti, u prezantua si drejtues i Sindikatës së Portit të Peshkimit dhe mbështetës i PD-së. Hetimet tregojnë se Kapiti është ortak në “Organizatën e Menaxhimit të Portit të Peshkimit në Durrës” me trafikantin e drogës Gjergj Luca, mik i Edi Ramës. Përmes këtij porti, banda “Luca-Beu” transportoi 120 kg kokainë, 15 kg heroinë e sasi të tjera droge drejt Italisë, ku tre anëtarë të saj u arrestuan nga anti-mafia italiane. Porti vijon të administrohet nga e njëjta bandë, pa asnjë kontroll policie, roje kufitare apo hetimi doganor.
Trafikanti peshkatar Gjergj Luca, mik dhe klient i Edi Ramës, futi anëtarët e organizatës së tij në takimin që Sali Berisha zhvilloi të premten me strukturat e partisë dhe peshkatarët në Durrës.
Një nga të ftuarit e Sali Berishës në këtë takim, i përzgjedhur për të folur kundër korrupsionit dhe mafies së trafiqeve, ishte Skënder Kapiti, i prezantuar si drejtues i Sindikatës së Portit të Peshkimit në Durrës dhe mbështetës i PD-së në betejën për rrëzimin e pushtetit të Edi Ramës.
Në fakt, referuar regjistrit të Qendrës Kombëtare të Biznesit, mbështetësi i PD-së, Klodian Kapiti, është ortak me trafikantin Gjergj Luca në kompaninë “Organizata e Menaxhimit të Portit të Peshkimit në Durrës” Sh.p.k.”

Në takimin e Sali Berishës, me temë “Korrupsioni dhe grabitja e porteve nga klanet mafioze të Edi Ramës”, ortaku Klodian Kapiti i trafikantit Gjergj Luca denoncoi skemën e mafies qeveritare në Portin Detar dhe Portin e Peshkimit, me akuza se nëpërmjet tyre bëhen trafiqe.
Në fakt, Portin e Peshkimit, Edi Rama ia ka dhënë falas “Organizatës së Menaxhimit të Portit të Peshkimit në Durrës”, ku “mbështetësi anti-mafie” i PD-së është ortak me Gjergj Lucën dhe 3 të tjerë që trafikojnë kokainën nëpërmjet këtij porti.
Bëhet fjalë për bandën e përbërë nga Qemal Beu, Dorian Beu e Syrjan Tola, të skeduar si “ushtarë”, maska të peshkatarit Gjergj Luca, në trafikimin ndërkombëtar të drogës me anijet e peshkimit nga ky port peshkimi.
Pas gjurmimeve dhe hetimeve 3-vjeçare, policia dhe anti-mafia italiane, më 20 tetor 2023 arrestuan në flagrancë peshkatarët Qemal Beu e Syrjan Tola, ndërsa Dorian Beu u arrestua më 25 gusht 2025 në malin e Tomorrit, pas katër vitesh në kërkim nga drejtësia italiane dhe pas dy vitesh në kërkim nga SPAK.
Ata u arrestuan duke transportuar 120 kilogramë kokainë, 15 kilogramë heroinë, 129 kilogramë marijuanë dhe 92 kilogramë hashash me destinacion Milan, Torino, Bergamo e Brescia.
Trafikimin për në Itali ata e realizonin nëpërmjet anijeve pjesë e “Organizatës së Menaxhimit të Portit të Peshkimit në Durrës”, ku ortakë me trafikantët Qemal Beu, Dorjan Beu e Syrjan Tola janë Gjergj Luca dhe “mbështetësi anti-mafie” i PD-së, peshkatari Klodian Kapiti.
Organizata e peshkatarëve, me ortakë trafikantët e bandës “Luca-Beu”, u krijua më 8 qershor 2020, duke marrë falas në përdorim Portin e Ri të Peshkimit-Durrës me bedel qiraje të firmosur nga Edi Rama; madje së bashku kanë shtuar disa bankete mirënjohjeje nëpër anije.
Por 8 muaj pas krijimit dhe 4 ditë pasi në SPAK mbërriti dosja e drejtësisë italiane, ortakët trafikantë mbyllën aktivitetin, për të cilin ka firmosur dhe ortaku Klodian Kapiti.
Por megjithëse “Organizata e Menaxhimit të Portit të Peshkimit në Durrës” është mbyllur prej 25 shkurtit 2021, porti prej më shumë se pesë vitesh vijon të administrohet nga banda e drogës “Luca-Beu”.
Atje është hequr shërbimi i kontrollit të Policisë së Shtetit, Roja Kufitare, shërbimi i kontrollit migrator, i Kapitenerisë së Porteve dhe shërbimet e agjencive të tjera të gjurmimit të veprimtarive kriminale ndërkufitare e të sigurisë kombëtare si SHISH, anti-trafiku, anti-terrori, anti-kontrabanda dhe Hetimi Doganor./Pamfleti
More, po per Rrjollin pse nuk ndihen keta te PD se?