
Bashkëshortja e kreut të Prokurorisë së Fierit punon për një trafikant të dënuar në Angli dhe SHBA; institucionet e drejtësisë heshtin përballë skandalit që kompromenton vetë sistemin...
Dy javë më parë, “Pamfleti” publikoi skandalin e lidhjeve të drejtuesit të Prokurorisë së Fierit, Elion Mustafaj, me eksponentë të botës së krimit dhe përfitimet financiare që ka marrë prej tyre.
Sipas dokumenteve zyrtare, bashkëshortja e tij, Najada Ndreko Mustafaj, rezulton e punësuar në kompaninë “PUKA LLC”, të krijuar dhe administruar nga shtetasi shqiptar Dorian Puka, me aktivitet biznesi në SHBA, ku ajo jeton prej 13 vitesh.
Dorian Puka është dënuar dy herë me burg në Angli për grabitje banesash, i njohur për përfshirje në grupet e “shtëpive të barit”, deportuar dy herë në Shqipëri dhe rikthyer sërish në mënyrë ilegale.
Në Shqipëri, Puka rezulton me tre dosje hetimore të hapura mbi bazën e raporteve të policisë shqiptare dhe informacionit të dërguar nga policia britanike dhe EUROPOL, që e lidhin atë me trafiqe dhe pastrim parash.
Kjo lidhje e bashkëshortes së tij me një person me precedentë penalë nuk është deklaruar nga Elion Mustafaj në formularin e dekriminalizimit dhe as në vettingun për pastërtinë e figurës, që është kusht për pajisjen me certifikatë sigurie për ushtrimin e funksionit të tij.
Sipas ligjit, kjo përbën provë të mjaftueshme për të nisur hetimin administrativ dhe penal ndaj tij.
Megjithatë, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Mirela Bogdani, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani dhe kreu i SPAK, Altin Dumani, nuk kanë urdhëruar fillimin e hetimit ndaj Elion Mustafajt, pavarësisht indicieve të qarta të shkeljes së ligjit.
Faktet tregojnë se Mustafaj e ka kaluar procesin e vettingut duke mashtruar, duke fshehur lidhjet personale dhe familjare me individë të përfshirë në krim. Por kjo nuk e pengon asnjë nga institucionet e drejtësisë që të hapin hetim ndaj tij për shkeljet e reja.
Mashtrimi në formularin e dekriminalizimit përbën vepër penale, për të cilën janë përjashtuar nga sistemi 88 gjyqtarë e prokurorë dhe 24 prej tyre janë marrë të pandehur.
Dyshohet se Prokuroria e Përgjithshme nuk ka interes të hetojë Mustafajn, pasi ai ka hequr nga dosja “Bankers” bashkëshorten dhe vajzën e Sekretarit të Përgjithshëm të këtij institucioni, Luan Abazi.
Ndërkohë, mbetet pa përgjigje pyetja pse Mirela Bogdani dhe Artur Metani nuk kanë nisur hetimin administrativ, as pse SPAK-u nuk ka hapur hetim penal, ndonëse ka dokumente të plota në dispozicion.
Për më tepër, edhe pse prej 13 vitesh jeton në SHBA, bashkëshortja e Elion Mustafajt figuron e punësuar e paguar edhe në Shqipëri, në dy kompani të lidhura me hetime të kryera nga vetë prokurori: “Alba Konstruksion Sh.p.k” dhe “Klodioda Sh.p.k”.
Kjo përbën konflikt të hapur interesi dhe provë tjetër të abuzimit të rëndë të drejtuesit të Prokurorisë së Fierit me detyrën./Pamfleti
BANKERSI miniere ari per gjithe shqiptaret. Ketyre hundesh u dalte e si befshin gjetshin!