Nga Peza, te Ndroqi dhe Vaqarri, tre administratorët e njësive administrative kanë krijuar një organizatë kriminale që operon me të njëjtat metoda

Gentian Myrta është emri më i ri në listën e zyrtarëve që kanë bërë kërdinë me pronat dhe fondet publike në njësitë administrative të Tiranës. Pas skandaleve të zbuluara nga “Pamfleti” për Besmir Kolën në Pezë dhe Xhavit Çekën në Ndroq, denoncime të tjera hedhin dritë mbi administratorin e Vaqarrit, i cili ka ngritur një perandori korrupsioni, duke grabitur tokat e banorëve dhe duke manipuluar dokumentet e pronësisë në bashkëpunim me të vëllain e tij, Klodian Myrta, drejtor i tensionit të lartë në OSHEE Tiranë, emër i skeduar dhe nga Policia e Shtetit.
Gentian Myrta ka tjetërsuar qindra hektarë tokë në Vaqar, duke përdorur pozicionin e tij për të manipuluar dokumentet e pronësisë dhe për të favorizuar individë të lidhur me të. Një nga skemat më të rënda të korrupsionit përfshin përvetësimin e pronave publike dhe private përmes falsifikimeve të dokumenteve dhe bashkëpunimit me punonjës të kadastrës.
Në zgjedhjet e 2021, Myrta dhe bashkëpunëtori i tij, Bledar Goga, punonjës i Kadastrës, janë kapur duke manipuluar lista legalizimesh për të siguruar vota. Dokumentet tregojnë se provat për këtë aferë u manipuluan më vonë në komisariatin nr. 6, duke e bërë këtë një nga rastet më të rënda të abuzimit institucional në këtë zonë.
Po ashtu, një audio-përgjim i publikuar nga Partia Demokratike tregon qartë mënyrën se si Myrta bënte pazare për çertifikata pronësie. Në bisedën e përgjuar, ai kërkon shuma nga 5 mijë deri në 30 mijë euro për të manipuluar procesin e legalizimit të një prone në zonën e Arbane. Pjesë të tjera të audios tregojnë sesi ai përdorte noterët për të kryer transaksione të paligjshme dhe për të garantuar se pronat do të kalonin tek njerëzit e tij.
Në qendër të skandalit qëndron prona mbi të cilën paguan qera aktualisht ''Hipermarket Xhangolli'' në Vaqar. Kjo pronë, me vlerë mbi 2 milionë euro, është regjistruar në emër të bashkëshortes së Gentian Myrtës, një skemë klasike e përdorur nga zyrtarët e korruptuar për të fshehur pasuritë e tyre.

Si ka arritur Myrta të bëhet pronar i një sipërfaqeje kaq të vlefshme? Dokumentet tregojnë një zinxhir transaksionesh të dyshimta, ku prona ka kaluar nëpër disa duar përpara se të përfundonte në emrin e bashkëshortes së tij. Ky model është përdorur edhe nga Besmir Kola dhe Xhavit Çeka, të cilët gjithashtu kanë regjistruar prona të vjedhura në emër të të afërmve të tyre.
Nga Peza, te Ndroqi dhe Vaqarri, tre administratorët e njësive administrative kanë krijuar një organizatë kriminale që operon me të njëjtat metoda: grabitje pronash, falsifikime dokumentesh, presion mbi banorët dhe shpërdorim të fondeve të tërmetit.
Besmir Kola, Xhavit Çeka dhe Gentian Myrta kanë ndarë rolet mes tyre, duke përdorur kadastrën, noterët dhe institucionet e tjera për të realizuar vjedhjet e tyre. Përveç vjedhjes së tokave, këta tre individë janë përgjegjës edhe për zhvatjen e fondeve të tërmetit, duke përfshirë qytetarët e pastrehë në skema mashtrimi dhe duke u kërkuar ryshfet për të përfituar ndihmat që u takonin me ligj. /Pamfleti
Lini një Përgjigje