
Kamçatka, gadishulli i izoluar ku toka digjet e dridhet: nga baza bërthamore në parajsë vullkanike
Penisula e Kamçatkas, ku gjatë natës është regjistruar një tërmet shumë i fuqishëm, është pjesa më lindore e Federatës Ruse, e prekur nga Oqeani Paqësor dhe Deti i Ohotskut. E gjatë 1.200 kilometra, ajo është e banuar nga pak më shumë se 300 mijë persona, pothuajse të gjithë me etni ruse. Një tokë zjarri, akulli dhe heshtjeje, e izoluar nga pjesa tjetër e vendit, pa lidhje rrugore me Rusinë kontinentale.
Rajoni është një parajsë vullkanike, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Me mbi 160 vullkane, prej të cilëve rreth tridhjetë aktivë, kjo është një nga zonat më sizmike të planetit. Klyuchevskaya Sopka – një mal kolos 4.750 metra i lartë,ngrihet mbi një peizazh llave, mjegulle dhe akujsh. Në krah të tij, Lugina e Geyser-ëve shpërthen me avuj dhe ujëra sulfurore, duke ofruar një spektakël natyror që pak vetë kanë mundësi ta shohin: jo vetëm për shkak të kostos, por edhe për logjistikën e vështirë.
Shkuarja në Kamçatka është një udhëtim në të panjohurën. Nga Moska duhen të paktën tetë orë fluturim, me ulje në Petropavlovsk-Kamchatskij, qyteti i vetëm i vërtetë i rajonit. Prej aty, brendësia shtrihet si një mozaik tundrash, pyjesh dhe vargmalesh, ku arinjtë e murrmë janë më të shumtë se banorët. Nuk ka hekurudha dhe as autostrada për dalje; gadishulli është, në fakt, një ishull.
Për arsye strategjike ushtarake dhe sidomos për afërsinë me Shtetet e Bashkuara, rajoni ka qenë i ndaluar për të huajt dhe madje edhe për rusët deri në vitet ’90. Pozicioni i tij e bënte të përshtatshëm për baza nënujore, radare dhe silo bërthamore. Disa zona të shtetit ende sot mbeten të pakapshme. Por sot, rajoni përpiqet të krijojë një identitet të ri. Turizmi i specializuar, nga trekking-u në vullkane, peshkimi ekstrem dhe vëzhgimi i faunës, tërheq vetëm një numër të vogël udhëtarësh çdo vit. Megjithatë, ekonomia mbetet e brishtë, e mbështetur kryesisht nga peshkimi dhe subvencionet shtetërore. /Përshtatur nga “Corriere Della Sera”
Lini një Përgjigje