
Në rrjetet sociale po qarkullon së fundmi një pretendim se dokumente të reja të lidhura me çështjen e Jeffrey Epstein sugjerojnë se ai nuk ka vdekur dhe se ndodhet ende gjallë. Sipas kësaj teorie konspirative, autoritetet amerikane thuhet se kishin “dije paraprake” për vdekjen e tij dhe se ngjarja ishte e sajuar për të fshehur të vërtetën.
Megjithatë, një verifikim i kryer nga BBC ka hedhur poshtë këto pretendime, duke konfirmuar se ato janë të pavërteta dhe të pabazuara në fakte zyrtare. BBC sqaron se dokumentet që po përdoren si “provë” në rrjetet sociale janë keqinterpretuar ose nuk janë dokumente zyrtare.

Një nga elementët kryesorë të pretendimit lidhet me një datë të përmendur në një dokument të brendshëm të Departamentit amerikan të Drejtësisë, ku shfaqet data 9 gusht 2019, një ditë para se Epstein të gjendej i vdekur në qelinë e tij. Sipas BBC-së, ky dokument nuk është zyrtar dhe nuk përbën asnjë provë se autoritetet kishin dijeni paraprake për vdekjen e tij.
Të gjitha raportet zyrtare, përfshirë aktin e obduksionit, dokumentacionin e burgut dhe hetimet e kryera nga autoritetet amerikane, konfirmojnë se Jeffrey Epstein ka vdekur më 10 gusht 2019. Departamenti amerikan i Drejtësisë ka sqaruar se data e përfshirë në draftin e përmendur ishte një gabim administrativ dhe nuk ka asnjë lidhje me ndonjë manipulim apo inskenim të vdekjes.
Ekspertët e BBC-së theksojnë se përhapja e këtyre teorive të konspiracionit vjen si pasojë e interpretimit të gabuar të dokumenteve jozyrtare dhe mungesës së kontekstit. Sipas tyre, nuk ekziston asnjë provë që mbështet pretendimin se Epstein është ende gjallë. Po ashtu, ka dyshime se imazhet që qarkullojnë në rrjetet sociale si “dëshmi” mund të jenë krijuar ose manipuluar me inteligjencë artificiale.
Një foto ka "çmendur" rrjetin se Epstein u pa në Izrael. Por analizat digjitale zbulojnë se fotografia origjinale përmban vulën e SynthID, që do të thotë se pjesa më e madhe e fotografisë është e edituar ose e gjeneruar nga inteligjenca artificiale e Google.

Lini një Përgjigje