Kryeministri britanik vepron me shpejtësi për të qetësuar Partinë Laburiste, ndërsa skandali Mandelson rrezikon të përfshijë drejtpërdrejt qeverinë e tij...
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, po përballet me momentin më të vështirë të mandatit të tij deri tani, pas një jave të ngarkuar me presion politik dhe polemika. Megjithatë, ai nuk ka ndërmend të tërhiqet.
Zbulimet e fundit mbi Peter Mandelson dhe lidhjet e tij me financierin e ndjerë dhe të dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein, kanë vënë në qendër të kritikave vendimin e Starmer për ta emëruar Mandelson ambasador në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar. Klima brenda Partisë Laburiste, tashmë e rënduar nga rënia në sondazhe dhe gabime të njëpasnjëshme qeveritare, është kthyer dukshëm kundër kryeministrit.
Disa deputetë laburistë kanë kërkuar publikisht shkarkimin e Morgan McSweeney, këshilltarit kryesor të Starmer dhe aleat i Mandelson, ndërsa në biseda private po pranohet gjithnjë e më shumë se edhe vetë lideri mund të detyrohet të largohet. Edhe Tom Baldwin, biografi i Starmer dhe një nga mbrojtësit e tij më të fortë, pranon se situata është e pasigurt.
“Është e mundur të mbijetojë – por kjo nuk do të thotë se patjetër do të ndodhë,” tha Baldwin për Politico. Ai shtoi se Starmer nuk ka një zgjidhje të shpejtë, por duhet të përqendrohet në qeverisje dhe në çështjet që prekin qytetarët, në vend që të ndjekë axhendën e mediave politike në Westminster.
Në këtë frymë, Starmer vazhdoi programin e tij publik me një fjalim për rigjallërimin e qyteteve të lëna pas dore dhe më pas ftoi një grup deputetësh në rezidencën zyrtare Chequers, ku kërkoi ndjesë për javën e vështirë dhe tentoi të hapë një faqe të re.
Sfida e radhës për kryeministrin lidhet me publikimin e dosjeve mbi emërimin e Mandelson, një veprim i shpallur në emër të transparencës, por që mund të sjellë pasoja të tjera politike. Ish-bashkëpunëtorë të Starmer pranojnë se ai mund të detyrohet të deklarojë hapur se ka bërë gabim në këtë emërim.
Ndërkohë, po diskutohet mundësia e një riorganizimi të stafit në Downing Street, si dhe lëvizje të mundshme në kabinet. Zemërimi i deputetëve është përqendruar veçanërisht te McSweeney, megjithëse largimi i tij shihet si hap i fundit, për shkak të rolit të tij kyç në fitoren zgjedhore të vitit 2024.
Edhe një riformatim i kabinetit përmendet si opsion, përfshirë rikthimin e figurave të njohura si Angela Rayner, por autoriteti i dobësuar i Starmer e bën çdo lëvizje të tillë të rrezikshme. Disa deputetë kërkojnë gjithashtu largimin e kancelares së Thesarit, Rachel Reeves, por brenda partisë ekziston frika se një hap i tillë do ta thellonte krizën.
Sipas Politico, shqetësime serioze ekzistojnë edhe në Whitehall se dokumentet e pritura mund të zbulojnë komunikime politikisht të dëmshme mes Mandelson dhe figurave të tjera të larta qeveritare.
Megjithatë, mungesa e një pasardhësi të qartë dhe natyra e ndërlikuar e skandalit po e bëjnë të vështirë nisjen e një sfide të drejtpërdrejtë për lidershipin. Siç vëren Baldwin, kjo krizë e ka ngushtuar rrethin e alternativave reale për ta zëvendësuar Starmerin në këtë moment.
Lini një Përgjigje