
Një aksident i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, 29 tetor, në zonën e Trevisos në Itali. Një autobus i kompanisë Atvo, me rreth 50 nxënës në bord, që udhëtonin drejt qytetit Oderzo, është përplasur me një SUV.
Në përplasjen fatale, ka humbur jetën drejtuesi i makinës, Germano De Luca, 85 vjeç, i cili po drejtonte mjetin me patentë të skaduar që prej muajit gusht. Ai ka ndërruar jetë në vend, ndërsa pesë nxënës kanë pësuar lëndime të lehta, dhe të paktën 15 janë dërguar në spital për kontrolle mjekësore dhe trajtim. Shumë prej tyre janë në gjendje shoku emocional pas ngjarjes.
Burime vendase raportojnë se shoferi i autobusit, një 40-vjeçar nga San Donà di Piave, ka reaguar me gjakftohtësi menjëherë pas aksidentit. Edhe pse i lënduar, ai hapi kapakun e sipërm të autobusit dhe ndihmoi të gjithë nxënësit të dilnin të sigurt. Vetëm më pas ai ka pranuar ndihmën e ekipeve të emergjencës.
Sipas autoriteteve, aksidenti ka ndodhur rreth orës 07:30 të mëngjesit, në rrugën Via Maggiore, në komunën Piavon. Hetimet paraprake tregojnë se SUV-i ka kaluar në korsinë e kundërt, dhe përplasja ka qenë e pashmangshme. Të dy mjetet kanë përfunduar jashtë rruge, në anë të kundërta të saj, ndërsa autobusi me nxënës është rrëzuar në një kanal anësor.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë Zjarrfikësit e Motta di Livenza, të ndihmuar nga një ekip nga Treviso, ambulanca të shumta dhe një helikopter i emergjencës mjekësore 118, si dhe Karabinierët dhe Policia lokale.
Drejtoria e kompanisë Atvo ka dërguar një tjetër autobus për të marrë nxënësit dhe i ka shprehur mirënjohje shoferit për ndërhyrjen e tij:
“Edhe pse i lënduar, shoferi ynë tregoi gjakftohtësi dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm, duke menduar fillimisht për sigurinë e fëmijëve”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Shoferi është tashmë i shëruar dhe i liruar nga spitali, po ashtu edhe nxënësit që ishin më lehtë të plagosur, megjithëse mbeten të tronditur nga ngjarja.
Viktima, Germano De Luca, nga Fregona (Treviso), rezulton se kishte patentë të skaduar që nga gushti dhe nuk e kishte rinovuar për shkak të problemeve shëndetësore. Zyrtarisht, leja e drejtimit i ishte pezulluar më 15 tetor, vetëm pak ditë para aksidentit.
Hetimet e Karabinierëve të Cessalto-s janë në vijim, ndërsa të dy mjetet janë sekuestruar për ekspertizë.
Lini një Përgjigje