Një nga pistat që po hetohet seriozisht lidhur me aksidentin tragjik të ndodhur në Rumani, ku humbën jetën 7 tifozë të PAOK-ut, është ndërhyrja e papritur apo defektoze e sistemit elektronik të asistencës së drejtimit të furgonit, i njohur si Lane Assist.
Sipas dëshmive të para nga të mbijetuarit, timoni i mjetit është bllokuar papritur, duke mos i lënë drejtuesit hapësirë për manovrim në momentin kur furgoni ndodhej në një parakalim kritik në autostradë. Kjo ka ngritur dyshime nëse sistemi i ruajtjes së korsisë, që teorikisht ndihmon në mbajtjen e drejtimit të automjetit brenda vijave të rrugës, ka ndërhyrë gabimisht, duke e kthyer ndihmën teknologjike në një faktor rreziku.
Çfarë është "Lane Assist"?
Sistemi Lane Assist, ose ndryshe Asistenca për Mbajtjen e Korsisë, përdor kamera për të identifikuar vijat e rrugës dhe ndihmon makinën të mos dalë jashtë korsisë. Në rast se shoferi nuk reagon ndaj paralajmërimeve, sistemi mund të ndërhyjë vetë në timon për ta rikthyer automjetin në vijë.

Por ky sistem nuk është autonom, nuk zëvendëson drejtuesin dhe nuk funksionon në çdo rrethanë. Nëse aktivizohet në mënyrë të pasaktë – siç dyshohet në këtë rast – mund të rezultojë fatal. Në shumë automjete, ndërhyrja e sistemit është e programuar të shmangë devijimin nga korsia, por në një situatë parakalimi ose kthese të fortë, ajo mund të ndërhyjë gabimisht, sidomos nëse nuk është fikur manualisht ose nëse rruga ka probleme me vijëzimin.
Në pritje të konfirmimit zyrtar të shkaqeve, ekspertët po kërkojnë ekzaminim teknik të plotë të mjetit, për të parë nëse sistemet e asistencës ishin të aktivizuara dhe në çfarë mënyre kanë ndikuar në rrjedhën e ngjarjes.
Lini një Përgjigje