Një zjarr i fuqishëm në një autobus në qendër të qytetit Kerzers, në kantonin zviceran të Fribourg, ka shkaktuar disa të vdekur dhe të plagosur, raportoi agjencia Keystone-ATS.
Sipas autoriteteve, incidenti ndodhi në orët e pasdites së së martës. Policia kantonale konfirmoi informacionet e publikuara fillimisht nga disa media zvicerane, mes tyre edhe gazeta La Liberté.
Një zëdhënës i policisë tha se është ende shumë herët për të përcaktuar shkakun e zjarrit dhe se hetimet janë në vazhdim.
Mes të plagosurve, një person u transportua me helikopterin e shërbimit të emergjencës Rega për trajtim mjekësor.
Zona ku ndodhi incidenti është rrethuar nga policia, ndërsa autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve të mos afrohen në vendngjarje për të lehtësuar operacionet e emergjencës dhe hetimet.
Disa dëshmitarë, të cituar nga mediat zvicerane, kanë deklaruar se një pasagjer në autobus dyshohet se i ka vënë flakën vetes, duke shkaktuar zjarrin që përfshiu më pas të gjithë mjetin.
Policia nuk ka konfirmuar ende këtë version dhe pritet të japë më shumë detaje pasi të përfundojnë hetimet fillestare.
Lini një Përgjigje