"Agjenda e kuqe" e Paolo Borsellinos nuk ishte një bllok shënimesh i zakonshëm. Ajo përmbante mendimet, hetimet, dyshimet dhe emrat që prokurori i vrarë po mblidhte për të zbuluar bashkëpunimin mes politikës, mafies dhe institucioneve të shtetit...
Magjistrati italian Giovanni Tinebra, i cili shërbeu si prokuror i Caltanissetta-s nga viti 1992 deri në vitin 2001 (ndërroi jetë në vitin 2017), ka qenë drejtuesi i grupit të prokurorëve që koordinonin hetimet e Arnaldo La Barbera, polici që sot konsiderohet si ideatori i manipulimit të hetimeve mbi masakrën e Via D’Amelio. Së fundmi është zbuluar se Tinebra ka qenë pjesë e një lozhe masonike sekrete dhe të parregullt, të cilës hetuesit i referohen si “një P2 e re”.
Në kuadër të një hetimi të hapur nga Prokuroria e Caltanissetta-s për akuzat e masakrës dhe manipulimit të drejtësisë, repartet speciale të ROS po kryejnë tre kontrolle në ambiente të lidhura me figurën e Tinebrës. Sipas një deklarate të prokurorit të tanishëm të Caltanissetta-s, Salvatore De Luca, “kontrollet në ambientet që në atë kohë ishin në dispozicion të ish-prokurorit Tinebra janë urdhëruar për të hedhur dritë mbi kontekstin ku ndodhi manipulimi tashmë i provuar i hetimeve mbi masakrën e Via D’Amelio dhe zhdukja e ditarit të kuq që i përkiste Borsellinos”.
Përmes dëshmive të penduarve dhe rishikimit të dosjeve gjyqësore të viteve të shkuara, ka dalë në dritë ekzistenca e një lozhe të fshehtë në qytetin Nicosia (provinca Enna), ku Tinebra ka shërbyer si magjistrat nga viti 1969 deri më 1992. Veçanërisht e rëndësishme është dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë Gioacchino Pennino, i cili që në vitin 1998 kishte folur për ekzistencën e një strukture të quajtur “Orjenti i Tretë”, e krijuar mbi rrënojat e P2-ës, me qëllim për të rekrutuar persona që nuk mund të shfaqnin publikisht përkatësinë masonike. Sipas Penninos, pjesë e saj ishin njerëz pranë Cianciminos, mjekë dhe sipërmarrës.
Nga aktet del gjithashtu një hetim i nisur në Napoli në fund të viteve ’90, në të cilin Angelo Siino dëshmonte për ekzistencën e një “super lozhe” të ideuar nga Salvatore Spinello, i lidhur me mafiozë dhe sipërmarrës, që synonte të krijonte një rrjet të fuqishëm dhe të shtrirë pushteti. Në një bisedë me Mjeshtrin e Madh Giuliano Di Bernardo, Spinello përmendte një lozhë në Nicosia dhe aty përfshinte një “personazh me juridiksion të lartë”, që më vonë rezultoi të ishte pikërisht Giovanni Tinebra. “Tinebra është i yni... ishte pjesë e lozhës së Nicosias... nuk e përshëndes publikisht që të mos e komprometoj”, thuhet në përgjimin e zbardhur.
Hetuesit përmendin gjithashtu kontributin e konsulentes Piera Amendola, sipas së cilës Fabio Venzi, Mjeshtër i Madh i Lozhës së Rregullt të Italisë, ka konfirmuar ndërlidhjen mes masonerisë, si të rregullt, ashtu edhe të parregullt dhe klubeve si Kiwanis, ku shpesh takohen masonë të obediancave të ndryshme.
Një element kyç që shton dyshimet është një shënim i datës 20 korrik 1992, i gjetur në arkivat e Skuadrës Hetimore të Palermos, që dokumenton se një ditë pas masakrës, në orën 12:00, një kuti që përmbante një çantë lëkure dhe një bllok që i përkisnin Paolo Borsellinos iu dorëzua Tinebrës. Dokumenti është nënshkruar nga Arnaldo La Barbera, por nuk ekziston asnjë firmë ose konfirmim marrjeje nga Tinebra, dhe asnjë gjurmë e këtij dokumenti në hetimet fillestare. Dyshohet se çanta ka qenë në posedim të La Barberës që nga mbrëmja e 19 korrikut, duke lënë kohë të mjaftueshme për ndonjë manipulim ose kopjim të mundshëm të të famshmes “agjendë e kuqe”.
Hetuesit e theksojnë se nuk është e mundur të verifikohet nëse ai bllok ishte vërtet ai i kuq, që kurrë nuk u gjet, dhe as nëse mbërriti realisht në duart e Tinebrës. Por dyshimi, i rëndë dhe serioz, mbetet.
"Blloku i kuq” i Paolo Borsellinos
"Agjenda e kuqe" e Paolo Borsellinos nuk ishte një bllok shënimesh i zakonshëm. Ajo përmbante mendimet, hetimet, dyshimet dhe emrat që prokurori i vrarë po mblidhte për të zbuluar bashkëpunimin mes politikës, mafies dhe institucioneve të shtetit. Zhdukja e saj, ende pa përgjigje pas më shumë se 30 vitesh, është plagë e hapur në ndërgjegjen e Italisë. Nëse dokumenti më i rëndësishëm i një prokurori antimafia zhduket dhe ende nuk dimë kush e preku, atëherë pyetja nuk është vetëm kush vrau Borsellinon, por kush kishte frikë nga e vërteta që ai po përgatiste të shpërthente. /Përshtatur nga Corriere Della Sera
Lini një Përgjigje