
Operacioni “Dita e Gjykimit” shënon goditjen e parë të Izraelit në Katar; Doha flet për shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar
Sulmi i paprecedentë i Izraelit në kryeqytetin e Katarit, Doha, ka hapur një krizë të re ndërkombëtare, duke zhvendosur konfliktin përtej kufijve të Gazës. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) dhe shërbimi i sigurisë Shin Bet konfirmuan se operacioni kishte në shënjestër drejtuesit më të lartë të Hamas. Tel Avivi e quajti këtë operacion “Atzeret HaDin” – “Dita e Gjykimit”, një emër me ngarkesë simbolike, që lidhet me 7 tetorin 2023, ditën kur Hamas kreu masakrën në jug të Izraelit.
Raportet e para për shpërthimet erdhën nga gazetari Barak Ravid i “Axios”, ndërsa dëshmitarët në terren konfirmuan për “Reuters” se panë shtëllunga tymi dhe dëgjuan shpërthime të fuqishme mbi distriktin Katara, një zonë e populluar në Doha. Izraeli pretendoi se kishte marrë masa për të shmangur viktimat civile, duke përdorur municione precize dhe inteligjencë shtesë.

Një detaj i rëndësishëm që po qarkullon në mediat izraelite është se sulmi është kryer me miratimin e presidentit amerikan Donald Trump. Kjo “dritë jeshile” nga Uashingtoni, nëse konfirmohet, do të përfaqësonte përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-ve në një operacion të kontestuar ndërkombëtarisht, duke ngritur pikëpyetje të mëdha për implikimet diplomatike dhe ligjore.
Reagimi i Katarit ishte i ashpër. Qeveria e Dohas e quajti sulmin një “akt të ulët dhe të papranueshëm”, duke theksuar se bëhet fjalë për një shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe të sovranitetit kombëtar. Autoritetet vendosën nisjen e një hetimi në nivelin më të lartë shtetëror, ndërsa paralajmëruan se pasojat do të trajtohen në instanca diplomatike dhe ligjore.
Analisti ushtarak britanik Michael Clarke paralajmëroi se goditja është një “ekzekutim jashtëgjyqësor në një vend neutral” dhe përbën kthesë të rrezikshme. “Kur ti vret udhëheqësit me të cilët po negocion, nuk ka më proces politik, ka vetëm përshkallëzim”, tha ai. Clarke shtoi se kjo goditje hedh “drejtpërdrejt në erë” çdo perspektivë për një armëpushim, ndërsa Katari do të detyrohet të rishikojë marrëdhëniet e tij me Hamas dhe grupet e tjera që ka strehuar.
Situata u tensionua edhe më tej pasi Ambasada e SHBA-ve në Doha nxori një urdhër emergjent për qytetarët amerikanë, duke i këshilluar ata të strehohen. Kjo e bën edhe më të dukshme kontradiktën e Uashingtonit: nga njëra anë, paralajmëron qytetarët e vet për rrezikun, ndërsa nga ana tjetër, sipas mediave izraelite, ka dhënë miratimin për goditjen.
Ky sulm jo vetëm që vë në pikëpyetje rolin e Katarit si ndërmjetës, por rrezikon të përfshijë edhe SHBA-të drejtpërdrejt në një krizë të re ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje