
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) dhe shërbimi i brendshëm i sigurisë, Shin Bet, kanë konfirmuar zyrtarisht se sulmi i fundit në kryeqytetin e Katarit u krye për të goditur “lidershipin më të lartë të Hamas”.
Në deklaratën e përbashkët, dy institucionet theksuan se “do të veprojmë me vendosmëri për të shkatërruar Hamas, i cili mban përgjegjësinë për masakrën e 7 tetorit”.
Operacioni u krye nga forcat ajrore izraelite, ndërsa sipas ushtrisë, para nisjes së tij u morën masa për të shmangur viktimat civile, përfshirë përdorimin e armëve të precizionit dhe inteligjencës shtesë. Megjithatë, sulmi në Doha ka hapur një stuhi reagimesh diplomatike, pasi Katar konsiderohej deri tani një vend neutral dhe ndërmjetës i bisedimeve për armëpushim në Gaza.
Izraeli i ka vënë operacionit emrin hebraik “Atzeret HaDin”, që përkthehet “Dita e Gjykimit”. Ky emërtim nuk është i rastësishëm, pasi lidhet me festën hebraike “Shemini Atzeret”, ditën kur Hamas sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor 2023. Me këtë, Tel Avivi i jep një dimension simbolik goditjes, duke e paraqitur si hakmarrje të drejtpërdrejtë ndaj aktit të Hamas.
Mediat izraelite raportojnë se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i dha Izraelit miratimin e tij për sulmin ndaj udhëheqjes së Hamasit në Katar. Kanali 12 citon një zyrtar izraelit në raportin e tij se Trump "dha dritën jeshile".
Ky zhvillim pritet të ashpërsojë më tej tensionet rajonale dhe të ngrejë në pikëpyetje rolin e Katarit si ndërmjetës. Ndërkohë, pritet reagimi i fuqishëm i vendeve arabe dhe i aktorëve ndërkombëtarë mbi shkeljen e sovranitetit të Dohas.
Lini një Përgjigje