Bota15 Prill 2024, 09:31

Dy të fituarit dhe i humburi nga sulmet e Iranit ndaj Izraelit

Shkruar nga Pamfleti

Dy të fituarit dhe i humburi nga sulmet e Iranit ndaj Izraelit

Në rastin më të mirë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të kundërpërgjigjet dhe do të ndërmarrë hapa për të sulmuar objektivat iraniane, ndoshta në Iran, në një mënyrë që do të jetë specifike dhe e përmbajtur, dhe që nuk do të çojë në një përgjigje tjetër të rëndësishme të Teheranit. Në rastin më të keq, përgjigja e izraelitëve do të jetë e fortë, dhe do të përfshijë bombardimin e objektivave të rëndësishëm në Iran.

Lufta është në prag. Duke përdorur dronë dhe raketa, Irani kreu të shtunën një sulm në shkallë të gjerë ndaj Izraelit. Të dyja vendet kanë qenë të përfshira prej kohësh në një “luftë në hije”. Irani ka përdorur micilitë në rajon të mbështetura dhe trajnuara prej tij, ndërsa Izraeli ka kryer sulme specifike.

Së fundmi, një sulm izraelit në Siri vrau disa komandantë të lartë nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), duke çuar edhe në reagimin e shumëpritur të Iranit. Po çfarë do të bëjë tani Izraeli? A ka filluar një luftë më e gjerë rajonale? Çfarë roli do të luajnë Shtetet e Bashkuara? Ja çfarë mendojnë disa nga ekspertët e institutit.

Jonathan Panikoff, ish-zëvendësoficer i inteligjencës kombëtare për Lindjen e Mesme në Këshillin Kombëtar të Inteligjencës në SHBA: Lindja e Mesme, në pragun e një lufte rajonale që duket se nuk e dëshiron askush

Lëshimi i raketave balistike nga Irani, së bashku me mbi 100 dronë, e vendos rajonin në pragun e një lufte më të gjerë, që në fakt nuk duket se e dëshiron askush. Madje shumica e aktorëve - Shtetet e Bashkuara, shtetet arabe, madje edhe Hezbollahu - janë përpjekur ta shmangin gjatë 6 muajve të fundit.

Por realiteti është se ky nuk është një zgjerim i luftës në Gaza. Ai është një pasojë e saj. Por përgjigja nga Irani ndaj vrasjes nga Izraeli të Mohammad Reza Zahedi dhe 6 oficerëve të tjerë të IRGC-së në Siri gati 2 javë më parë, shkon përtej një përgjigjeje proporcionale.

Sepse është hera e parë që Irani ka ndërmarrë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Izraelit.

Në rastin më të mirë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të kundërpërgjigjet dhe do të ndërmarrë hapa për të sulmuar objektivat iraniane, ndoshta në Iran, në një mënyrë që do të jetë specifike dhe e përmbajtur, dhe që nuk do të çojë në një përgjigje tjetër të rëndësishme të Teheranit. Në rastin më të keq, përgjigja e izraelitëve do të jetë e fortë, dhe do të përfshijë bombardimin e objektivave të rëndësishëm në Iran.

Gina Abercrombie-Winstanley, ish-ndihmëse speciale për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Sekretarit amerikan të Shtetit:Sulmi i të shtunës, prodhoi dy fitues dhe një humbës

Fituesi i parë: Me më shumë se 200 raketa dhe dronë të lëshuara drejtpërdrejt drejt Izraelit, është kënaqur sedra e iranianëve. Udhëheqësit iranianë i kanë njoftuar synimet e tyre dhe kanë marrë publikisht përgjegjësinë për sulmin. Ndërsa dëmi duket të jetë i kufizuar, reagimi i jashtëzakonshëm ishte shumë i ashpër dhe e ka alarmuar të gjithë faktorin ndërkombëtar. Hapi tjetër nuk duhet të jetë përshkallëzimi.

Fituesi i dytë i zhvillimeve të fundit është izraelit kryeministrit Benjamin Netanyahu, që mori 3 gjëra që i duheshin shumë. Së pari Gaza do shfokusohet nga vëmendja kryesore, dhe ai mund të shpresojë se do bjerë presioni për t’i dhënë fund luftës dhe për të lehtësuar vuajtjet e palestinezëve.

Dhe se treti e ka nxitur presidentin amerikan Biden t’i rikthehet deklaratave për një “mbështetje të fortë” për Izraelin, qoftë edhe nën udhëheqjen e tij. Po ashtu, mund të ketë ribashkuar sërish izraelitët përballë rrezikut, gjë që do ta ndihmojë qëndrimin e tij në pushtet.

I humburi i madh nga ky sulm është presidenti Biden, pozicioni i të cilit është dobësuar shumë. Ekipi i tij duhet të punojë fort për të frenuar kundërpërgjigjen izraelite. Forcat amerikane në rajon mbeten nën rrezik, dhe është e madhe mundësia e një lufte më të gjerë. Tani duket se Shtetet e Bashkuara janë pranë një konflikti të drejtpërdrejtë, që Biden (dhe Irani) janë përpjekur shumë për ta shmangur. Një pjesë e konsiderueshme e koalicionit që nevojitet për ta rizgjedhur në detyrë, nuk do ta harrojë Gazën, dhe as nuk do ta mirëpresë mbështetjen e re për Izraelin.

Danny Citrinowicz, ka shërbyer për 25 vite në një sërë pozicionesh drejtuese në Inteligjencën e Mbrojtjes të Izraelit:Pse sulmi i paprecedentë i Iranit, mund të mos çojë në një luftë rajonale

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, e kishin paralajmëruar Iranin që të mos e kryente atë sulm. Megjithatë, duket se udhëheqja e tij e kuptoi se kostoja e mos-sulmimit është më e lartë se vetë sulmi. Pasi në rastin e parë, Irani do të duhej të rishikonte parandalimin e tij dhe të ri-balanconte ekuacionin e frenimit të Izraelit.

Shumë gjëra do të varet nga pasojat e sulmit. Në çdo rast, dhe pavarësisht nga këto të fundit, kjo është një ngjarje e paprecedentë në marrëdhëniet midis Iranit dhe Izraelit. Sulmi i të shtunës, nxori në pah nevojën që Izraeli të punojë në koalicion me partnerët kundër Iranit

dhe të mos mbështetet vetëm tek vetja për mbrojtjen por edhe në çdo aktivitet sulmues.

Në rast se Izraeli i jep ende përparësi eliminimit të Hamasit dhe lirimit të pengjeve, çdo zgjerim i konfliktit aktual do të jetë kundër-produktiv në raport me këto qëllime. Gjithsesi shumëçka mund të ndryshojë në ditët në vijim.

Carmiel Arbit, anëtare në Programet e Lindjes së Mesme në Këshillin Atlantik:Se çfarë do të ndodhë më pas do të varet nga 3 faktorë

Sulmi direkt i Iranit ndaj Izraelit, përfaqëson një përshkallëzim të madh të konfliktit mes dy vendeve, duke kaluar nga një përballje e fshehtë në një përplasje të hapur. Se çfarë do të ndodhë më pas, kjo do të varet nga 3 faktorë.

Së pari nëse përfaqësuesit e Iranit, përfshirë Houthit dhe Hezbollahun, do të bashkohen në luftime. Së dyti, nëse do të ketë viktima në Izrael nga këto sulme dhe nëse sistemet e tij të mbrojtjes të kombinuara me mbështetjen e SHBA-së i parandalojnë dëmet e mëdha. Së treti, gjithçka do të varet edhe nga mënyra se si Izraeli do të zgjedhë të kundërpërgjigjet. 

Sulmet iraniane zhvillohen nën sfondin e zbehjes së simpatisë globale për Izraelin, dhe të tensionit në rritje në marrëdhëniet midis Joe Biden dhe Beniamin Netanyahut. Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania kanë deklaruar mbështetje për Izraelin pas sulmeve të së shtunës.

Por siç ka ndodhur me Gazën, përshkallëzimi i mëtejshëm, mund ta zvogëlojë këtë mbështetje publike. Nga ana e tij Biden, e ka bërë të qartë se çdo acarim që mund të vërehet mes dy liderëve është vetëm retorik:Partneriteti i SHBA me Izraelin mbetet i hekurt.

Angazhimi i përbashkët për të adresuar kërcënimin e paraqitur nga Irani, është gjithashtu shumë më i thellë se çdo divergjencë që mund të kenë të dyja vendet mbi të ardhmen e territoreve palestineze. Megjithatë, SHBA-ja mund të inkurajojnë në prapaskenë Izraelin që të reagojë me vetëpërmbajtje, në një përpjekje të vazhdueshme për të parandaluar zhvillimin e një lufte rajonale.

Masoud Mostajabi, zëvendësdrejtor i Programeve të Lindjes së Mesme në Këshillin Atlantik:SHBA, aleatët dhe udhëheqësit rajonalë, do të motivohen ta anashkalojnë konfliktin në zgjerim e sipër

Sulmi i të shtunës nga Republika Islamike e Iranit ndaj Izraelit, ishte një përgjigje ndaj vrasjes nga Izraeli të një komandanti të lartë ushtarak iranian në konsullatën e saj në Damask më 1 prill. Ky i fundit, ishte në kundërshtim të hapur me të drejtën ndërkombëtare siç parashikohet në Konventën e Vjenës.

Ministria e jashtme iraniane, e bëri të qartë se veprimet e saj ishin një ushtrim i të drejtës së saj të natyrshme për vetëmbrojtje, duke përmendur nenin 51 të Kartës së OKB-së. Gjithsesi këto sulme, nënkuptojnë një fazë të re në konfliktin e vazhdueshëm midis dy kundërshtarëve rajonalë.

Dhe kjo ka të ngjarë të kapërcejë atë që prej vitesh është konsideruar si një “luftë në hije”, sidomos duke pasur parasysh faktin që ky është sulmi i parë direkt nga territori iranian. Para fillimit të këtyre sulmeve, Teherani arsyetoi se dështimi për të zbatuar qartë dhe në mënyrë të qartë masat parandaluese kundër veprimeve agresive të Izraelit, do t’i sinjalizonte këtij të fundit se akte të tilla armiqësore do të toleroheshin nga udhëheqësit iranianë në të ardhmen.

Deri tani, hakmarrja është disi e përmbajtur dhe ndoshta e orkestruar enkas kështu, për t’i dhënë Izraelit dhe SHBA-së fleksibilitet në anashkalimin e një konflikti më të gjerë. Në Izrael, vëmendja po kalon tek vlerësimi i dëmit nga kabineti i sigurisë tek vendimi se si duhet reaguar.

Teksa ky vend po vepron sipas mentalitetit të kohës së luftës, për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në Gaza, shumë njerëz ka të ngjarë të argumentojnë se kjo paraqet një mundësi për Izraelin që të hakmerret në të njëjtën mënyrë ndaj Iranit, duke synuar potencialisht instalimet kritike ushtarake, energjetike dhe bërthamore.

Nëse do të mbizotërojë kjo linjë arsyetimi, një luftë me përmasa katastrofike do të bëhej pothuajse e pashmangshme. Për lojtarët rajonalë, veçanërisht Arabinë Saudite dhe Jordaninë - të cilët thuhet se kanë përgjuar dronët iranianë - argumenti do të jetë se ata me të drejtë po mbrojnë hapësirën e tyre ajrore sovrane.

Megjithatë, nëse sulmet e të shtunës përshkallëzohen në një konflikt më të gjerë Izrael-Iran, aktorët rajonalë të perceptuar si mbrojtës të Izraelit mund ta gjejnë veten në shënjestër dhe të tërhiqen zvarrë në flakët rajonale në një shkallë më të lartë sesa lëshimi apo rrëzimi i disa dronëve.

Duke pasur parasysh stimujt në lojë, ka të ngjarë që liderët rajonalë të motivohen të ndërmjetësojnë midis të dyja palëve, për ta mbyllur sa më shpejt këtë përballje. Shtetet e Bashkuara, e gjejnë sërish përsëri në pozicionin kryesor për të punuar mbi parandalimin e zgjerimit të trazirave. /Përshtatur nga Pamfleti, marrë nga “Atlantic Council”                                   

iran izrael