Shefi i policisë patrulluese të Ukrainës, Yevhen Zhukov, ka dhënë dorëheqjen pas kritikave të forta ndaj dy efektivëve që dyshohet se u larguan nga vendngjarja gjatë një sulmi me armë në Kiev.
Ngjarja ndodhi të shtunën në distriktin jugor Holosiivskyi, ku një 58-vjeçar hapi zjarr ndaj qytetarëve në rrugë, duke vrarë gjashtë persona dhe plagosur 14 të tjerë, përpara se të merrte peng disa persona në një supermarket. Autori u vra më pas gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë.
Pamje të shpërndara në rrjetet sociale duket se tregojnë dy policë duke u larguar nga vendi i ngjarjes, duke lënë civilët të pambrojtur. Ministri i Brendshëm, Igor Klymenko, konfirmoi se efektivët janë pezulluar dhe se ndaj tyre ka nisur një hetim.
“‘Të shërbesh dhe të mbrosh’ nuk është vetëm një slogan. Duhet të mbështetet me veprime profesionale, veçanërisht në momente kritike kur jetët e njerëzve varen prej tyre,” deklaroi ai, duke shtuar se nuk duhet të përgjithësohet përgjegjësia për gjithë policinë.
Në një konferencë për shtyp, Zhukov pranoi se efektivët “nuk e vlerësuan siç duhet situatën dhe lanë civilët në rrezik”, duke i cilësuar veprimet e tyre si “joprofesionale dhe të papranueshme”. Ai njoftoi dorëheqjen duke theksuar përgjegjësinë personale si drejtues.
Autoritetet ukrainase e kanë klasifikuar sulmin si akt terrorist, ndërsa motivi mbetet ende i paqartë. Ministri Klymenko e përshkroi gjendjen mendore të autorit si “qartësisht të paqëndrueshme”.
Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se dy efektivët “ishin në vendngjarje, por nuk e ndaluan sulmuesin dhe u larguan”, duke i akuzuar për mosveprim. Ai konfirmoi se Byroja Kombëtare e Hetimeve ka hapur një çështje penale që përfshin edhe verifikimin e punës së tyre të mëparshme.
Tetë persona mbeten të shtruar në spital, ku një i rritur ndodhet në gjendje shumë të rëndë dhe tre të tjerë në gjendje serioze.
Autoritetet bëjnë të ditur se sulmuesi, me origjinë nga Moska dhe banues në Kiev, kishte djegur apartamentin e tij përpara se të niste sulmin. Arma që përdori ishte e regjistruar ligjërisht dhe hetimet po fokusohen tani në mënyrën se si ai kishte rinovuar lejen.
Ndërsa kryeqyteti ukrainas është shpesh objekt sulmesh në kuadër të luftës me Rusinë, incidente të tilla me armë zjarri mbeten të rralla. Ministri i Brendshëm theksoi se nuk pritet një kontroll masiv i armëmbajtësve, duke mbrojtur të drejtën e vetëmbrojtjes në kushtet e luftës.
Sipas të dhënave, një përqindje e vogël e qytetarëve ukrainas zotëron armë, megjithëse që prej vitit 2022 përdorimi i tyre për vetëmbrojtje është zgjeruar për shkak të pushtimit rus.
Lini një Përgjigje