
Ministria e Jashtme franceze është shprehur se organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) do të hetojë dëbimet e fëmijëve ukrainas nga Rusia.
Franca dhe një grup prej 45 shtetesh të OSBE-së kanë thirrur një mekanizëm të posaçëm për të inicuar shqyrtimin e akuzave specifike që lidhen me pushtimin rus të Ukrainës.
Ministria tha se masa u bë për shkak të ndikimit jashtëzakonisht serioz të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës mbi popullsinë civile ukrainase dhe në veçanti mbi fëmijët.
“I ashtuquajturi Mekanizmi i Moskës i OSBE-së ofron mundësinë e dërgimit të ekspertëve për të ndihmuar shtetet pjesëmarrëse të zbulojnë se çfarë ka ndodhur”, thuhet në faqen e internetit të organizatës.
Ministria franceze tha se do të bëhet një raport i detajuar mbi informacionet dhe të dhënat që do të mblidhen, për të përcaktuar rastet e mundshme të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.
“Ky mision i ekspertëve të pavarur do të bazohet në përfundimet e raporteve të dy Mekanizmave të Moskës, të publikuara më 13 prill dhe 14 korrik 2022, mbi shkeljet e të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar humanitar në Ukrainë, që solli për të ndriçuar raportet e besueshme të transferimeve dhe deportimeve të dhunshme të civilëve ukrainas nga Rusia, përfshirë fëmijët e pashoqëruar. Misioni do të jetë përgjegjës për shqyrtimin dhe raportimin mbi... faktet dhe rrethanat që lidhen me shkeljet dhe abuzimet e mundshme të të drejtave të njeriut, si dhe rastet e mundshme të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, të lidhura ose që rezultojnë nga transferimi me forcë i fëmijëve në pjesë të territorit ukrainas të kontrolluara ose të pushtuara përkohësisht nga Rusia dhe/ose deportimi i tyre në Rusi”, tha ministria franceze.