
Disa udhëheqës evropianë u zotuan së bashku të shtunën të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën dhe të ushtrojnë presion mbi Rusinë, derisa të përfundojë lufta në Ukrainë. Reagimi vjen pak orë pas përfundimit të Samitit në Alaska, ku u takuan Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin.
Deklarata e përbashkët nga udhëheqësit, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin britanik Keir Starmer dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni, u lëshua pasi Trump i informoi ata për bisedimet e tij me Putinin.
Në deklaratë thuhet se hapi tjetër duhet të jenë bisedimet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe se ata ishin të gatshëm të punonin me Trump dhe Zelensky-n drejt një samiti trepalësh me mbështetjen evropiane.
Trump tha pas bisedimeve me Putinin se Ukraina duhet të arrijë një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës me Rusinë.
Ai tha se ishte dakord me udhëheqësin rus se mënyra më e mirë për ta bërë këtë ishte të shkohej direkt në një zgjidhje paqeje dhe jo nëpërmjet një armëpushimi, diçka që deri më tani ishte kundërshtuar nga Kievi dhe aleatët e tij evropianë.
Deklarata evropiane , e nënshkruar gjithashtu nga Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen, Kryeministri polak Donald Tusk, Presidenti finlandez Alexander Stubb dhe Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, thotë se Ukraina duhet të ketë garanci sigurie "të hekurta" për të mbrojtur integritetin e saj territorial.
"Do të jetë detyrë e Ukrainës të marrë vendime në territorin e saj. Kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë.
Mbështetja jonë për Ukrainën do të vazhdojë. Ne jemi të vendosur të bëjmë më shumë për ta mbajtur Ukrainën të fortë në mënyrë që të arrijmë fundin e luftimeve dhe një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.
Për sa kohë që vrasjet në Ukrainë vazhdojnë, ne jemi të gatshëm të mbajmë presionin mbi Rusinë. Ne do të vazhdojmë të forcojmë sanksionet dhe masat më të gjera ekonomike për të ushtruar presion mbi ekonominë e luftës së Rusisë derisa të ketë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme", thuhet në deklaratë. /Përshtatur nga Reuters/
Lini një Përgjigje