
Frika për furnizimet po rritet më shpejt sesa aftësia e BE-së për t'i matur ato.
Teksa linjat ajrore anulojnë fluturime dhe autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të kufizojnë udhëtimet, përpjekjet e Europës për të shmangur mungesat e karburantit të shkaktuara nga lufta në Iran po përballen me një pengesë të papritur: askush nuk e di saktësisht sa karburant ka kontinenti.
Situata vjen në një kohë kur lufta në Iran po rrit faturën e karburanteve fosile për Europën dhe kërcënon furnizimet që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, një arterie kyçe për naftën dhe gazin.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi të mërkurën se konflikti po i kushton BE-së rreth 500 milionë euro në ditë në kosto shtesë energjie. Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar përgatitje për një bllokadë të zgjatur ndaj Iranit, që mund të tronditë më tej tregjet globale të energjisë.
“Në Europë kemi një pamje të situatës dhe angazhimeve për majin dhe qershorin… por përtej kësaj është e vështirë të parashikohet. Ka rezerva strategjike, por nuk ka shumë transparencë se sa është përdorur prej tyre”, tha Tobias Meyer, drejtori ekzekutiv i DHL Group, gjatë një takimi me gazetarët.
Autoritetet e BE-së nuk janë plotësisht në errësirë. Të dhënat mbi rezervat shtetërore të naftës dhe gazit janë zakonisht transparente dhe të përditësuara, ndërsa zyrtarët kombëtarë zhvillojnë takime të rregullta për shkëmbim informacioni dhe kompanitë ndonjëherë ndajnë të dhëna për rezervat e tyre.
Megjithatë, përtej kësaj, informacioni është i kufizuar. Zyrtarët që përpiqen të kuptojnë kur mund të shterojnë furnizimet kanë pak të dhëna konkrete, çka rrezikon të çojë në vendime emergjente të bazuara në informacion të pjesshëm.
Në një samit të nivelit të lartë muajin e kaluar, ministrat e Belgjikës, Holandës dhe Spanjës theksuan këto boshllëqe informacioni dhe kërkuan më shumë koordinim në monitorimin në kohë reale, veçanërisht për produktet e përpunuara. Përfaqësuesi i Greqisë propozoi madje krijimin e një kanali komunikimi në WhatsApp ose Signal midis vendeve anëtare dhe Komisionit.
“Kemi njohuri shumë të kufizuara për tregun dhe të dhënat për gazin dhe naftën. Ka mungesë monitorimi për atë që hidhet në treg, që tërhiqet dhe që transportohet në rrugë të ndryshme”, tha një zyrtar i lartë europian i energjisë, në kushte anonimiteti.
Për karburantet e përpunuara si nafta dizel dhe karburanti i avionëve, situata është edhe më e paqartë. BE-ja mbështetet kryesisht te Eurostat dhe takimet koordinuese me vendet anëtare për të vlerësuar furnizimet. Por shumica e rezervave ndodhen në inventarë privatë të shpërndarë në sektorë të ndryshëm, dhe kompanitë hezitojnë të ndajnë të dhëna që nuk janë të detyruara t’i raportojnë.
Edhe të dhënat e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) janë të kufizuara për këtë arsye, sipas një zyrtari të Komisionit. Muajin e kaluar, IEA koordinoi lirimin e 400 milionë fuçive naftë nga rezervat strategjike.
“Në një botë ideale do të kishim informacion të plotë, Por në fund, gjithçka varet nga të dhënat që na jepen. Edhe kolegë të tjerë kanë ngritur të njëjtin shqetësim”, tha zyrtari.
Që nga fillimi i luftës, ministrat e energjisë i kanë kërkuar Komisionit të rrisë aftësinë për të vlerësuar rezervat në depo nëntokësore, tanke në porte, supertankerë në brigjet europiane dhe depo në aeroporte apo përgjatë tubacioneve kryesore.
Vetë Komisioni ka pranuar mungesën e informacionit dhe ka propozuar krijimin e një “Observatori të Karburantit”, që do të monitorojë prodhimin, importet, eksportet dhe rezervat e karburanteve të transportit në BE, në një mënyrë të ngjashme me Administratën Amerikane të Informacionit për Energjinë.
“Duam të kemi një pasqyrë më të qartë të situatës së karburanteve në BE. Po punojmë për këtë, por është herët për të shpjeguar si do të funksionojë”, tha zëdhënësja e Komisionit, Anna-Kaisa Itkonen.
Gazi është më i lehtë për t’u monitoruar, megjithëse jo pa mangësi. Pas krizës së shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022, BE-ja vendosi që vendet anëtare të mbushin rezervat e gazit në 90 për qind të kapacitetit përpara dimrit. Kjo i jep BE-së një ide më të qartë për sasinë e gazit natyror në dispozicion, edhe pse rrjedhat dhe tregtia ndërkufitare mbeten më pak të dukshme.
Eurostat monitoron edhe produktet e naftës, por përditësimet janë të rralla. Sipas analistes Ana Maria Jaller-Makarewicz nga Instituti për Analizën e Ekonomisë së Energjisë dhe Financës, të dhënat më të fundit të plota datojnë në janar.
Në atë periudhë, shumica e vendeve të BE-së, përveç Letonisë, Irlandës dhe Qipros, kishin përmbushur kërkesën për rezerva minimale prej 90 ditësh të naftës dhe derivateve të saj. Këto përfshinin kryesisht naftë bruto, dizel dhe lëndë të ndërmjetme, ndërsa benzina dhe karburanti i avionëve ishin në sasi më të kufizuara.
Çfarë ka ndodhur që atëherë mbetet e paqartë.
“Është shumë e vështirë të kemi një pasqyrë të përditësuar. Ne dimë se çfarë duhet të kenë në rezervë, por jo saktësisht sa kanë në çdo moment”, tha një tjetër zyrtar i lartë i energjisë.
Ndjekja e produkteve të përpunuara si dizeli, benzina dhe karburanti i avionëve është edhe më e vështirë. “Kompanitë private nuk duan të ndajnë informacion”, tha një zyrtar tjetër.
“Kjo është informacion që anëtarët nuk do ta ndajnë me mua”, deklaroi Alain Mathuren nga organizata FuelsEurope, duke shtuar se kërkesa për të tilla të dhëna mund të bie ndesh me rregullat e konkurrencës në BE.
Pavarësisht mungesës së theksuar të të dhënave, është ende herët për të thënë nëse Komisioni do të vendosë rregulla detyruese për raportimin e rezervave, sipas zyrtarëve europianë./ “Përshtati “Pamfleti” nga “Politico”.
Lini një Përgjigje