Bota29 Mars 2023, 13:58

Fëmijët ukrainas të rrëmbyer po adoptohen nga Rusia, Kievi: Është e neveritshme të mburresh me aktivitet ilegal

Shkruar nga Pamfleti

Fëmijët ukrainas  të rrëmbyer po adoptohen nga Rusia, Kievi:

Zëvendëskryeministrja ukrainase ka paralajmëruar qytetarët rusë që të mos birësojnë fëmijët e “rrëmbyer” nga Ukraina të transportuar në Rusi. Iryna Vereshchuk tha se  është e neveritshme të mburresh publikisht për aktivitetin “ilegal”.

Më shumë se 16,000 raste të dëbimit të fëmijëve janë duke u hetuar nga prokurori i përgjithshëm i Ukrainës Andriy Kostin.

“Të marrësh fëmijët jetimë nga Ukraina dhe t’i dorëzosh për birësim shtetasve rusë është e paligjshme dhe e poshtër. Është veçanërisht e neveritshme kur njerëzit madje mburren publikisht për faktin se ata adoptuan fëmijë të vjedhur në Ukrainë,” ka shkruar Vereshchuk.

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​një urdhër-arresti për Vladimir Putin në fillim të këtij muaji, duke akuzuar Rusinë për dëbim të fëmijëve.

“Dhjetëra Rusë që kishin vendosur  të adoptonin jetimët e vjedhur nga Ukraina herët a vonë duhet të përgjigjen  për këtë që po bëjnë”, ka shkruar Vereshchuk.

Vazhdon hetimi për rrjetin e ushtarëve, zyrtarëve qeveritarë, drejtorëve të jetimoreve ruse që morën pjesë në dëbimin e të miturve, kujdesin për mbajtjen, transferimin e tyre, në disa raste falsifikimin e dokumenteve për t'ua besuar familjeve të reja. Disa prindër të cilëve tani u janë besuar fëmijët ukrainas mund të kenë qenë bashkëpunëtorë të padashur në trafikim , por në shumicën e rasteve organizatat humanitare kanë denoncuar respektimin e plotë të planit të Putinit. Është konstatuar se në disa raste fëmijët jepeshin si çmim nga regjimi i Moskës, "bëheshin dhuratë për oficerët më besnikë". Ashtu siç ndodhi në Argjentinë në kohën e diktaturës së Jorge Videlës.

ukraina rusia gjykata nderkombetare penale