Ali Khamenei kishte paraqitur tre emra si pasardhës të mundshëm, por djali i tij nuk ishte mes tyre, detaje mbi mënyrën si arriti në krye të pushtetit
Mojtaba Khamenei u zgjodh në postin e Udhëheqësit të ri Suprem të Iranit, por ky zhvillim nuk kaloi qetësisht. Ai u imponua si një zgjidhje e detyruar dhe u shoqërua me prapaskena intensive, negociata të fshehta, kundërshtime dhe përplasje, të cilat përshkruhen si një version iranian i serialit “Game of Thrones”.
Dy familje me ndikim, Khamenei dhe Khomeini, së bashku me figura të rëndësishme politike dhe ushtarake, konkurruan për pasardhjen në pushtet, sipas New York Times. Në një publikim të mëparshëm, gazeta kishte zbuluar se Ali Khamenei kishte propozuar tre emra të mundshëm për pasardhës, por djali i tij nuk ishte mes tyre.
Zgjedhja e udhëheqësit të tretë suprem të Republikës Islamike u bë në kushte të detyruara, pas vrasjes së Ajatollah Ali Khameneit në ditën e parë të luftës së nisur kundër Iranit nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, më 28 shkurt. Në këto rrethana, mbijetesa e sistemit teokratik u vu në provë, ndërsa prioritet u bë zgjedhja e një pasardhësi me autoritet të plotë fetar, politik dhe ushtarak.
Ngjarjet paraprake dalin nga dëshmitë e 5 zyrtarëve të lartë iranianë, dy klerikëve, si dhe dy personave të lidhur me zyrën e Udhëheqësit Suprem dhe tre anëtarëve të Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC), të cilët kanë njohuri mbi procesin e përzgjedhjes. Sipas këtyre burimeve, Mojtaba Khamenei nuk konsiderohej kandidat natyral për të pasuar të atin.
Takime të fshehta
Më 3 mars, Asambleja e Ekspertëve të Udhëheqjes, e përbërë nga 88 klerikë me përgjegjësi kushtetuese për zgjedhjen e Udhëheqësit Suprem, zhvilloi një mbledhje të fshehtë virtuale për të nisur procesin e votimit. Procedura kërkon që kandidati të marrë dy të tretat e votave.
Mbledhja u zhvillua disa orë pasi bombardimet izraelite goditën selinë e këshillit në qytetin Qom, ku ndodhen shumë klerikë. Sulmi shkaktoi viktima mes stafit administrativ. Pas vdekjes së Ali Khameneit, fraksione politike rivale dhe drejtues të IRGC-së nisën lëvizjet për të forcuar kandidatët e tyre dhe për të siguruar pozitat e ndikimit.
Ndarja mes konservatorëve dhe moderatëve
Krahu konservator i regjimit kërkoi përzgjedhjen e një figure që do të garantonte vazhdimësinë e politikave të brendshme dhe të jashtme dhe një qëndrim më të ashpër ndaj thirrjeve për ndryshim. Në të kundërt, krahu moderator kërkoi një udhëheqës me qasje të re, që do të ulte tensionet me Shtetet e Bashkuara dhe do të hapte një kapitull të ri politik.
Mojtaba Khamenei mori mbështetje të fortë nga drejtues të IRGC-së, përfshirë komandantin e lartë Ahmad Vahidi, gjeneralin Mohammad Ali Aziz Jafari, kryetarin e parlamentit dhe ish-komandantin Mohammad Baqer Qalibaf, si dhe Hossein Taeb, ish-shef i shërbimit të inteligjencës së IRGC-së.

Kundërshtimi erdhi nga figura të rëndësishme, kryesisht Ali Larijani, kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Iranit. Ai deklaroi se vendi ka nevojë për një figurë moderuese që bashkon vendin dhe paralajmëroi se Mojtaba Khamenei mund të jetë përçarës. Në këtë kamp u rreshtuan edhe presidenti Masoud Pezeshkian dhe disa zyrtarë e klerikë.
Moderatorët propozuan kandidatë alternativë si ish-presidenti Hassan Rouhani, Hassan Khomeini, nipi i themeluesit të Republikës Islamike, dhe teologu Alireza Arafi si kompromis.
Vendimi i votimit
Ndërsa debatet vijonin, zemërimi në establishmentin politik dhe fetar ndaj presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu u rrit. Ky faktor forcoi tendencën për zgjedhjen e një lideri që garanton vazhdimësinë e linjës së mëparshme.
Në raundin e parë të votimit më 3 mars, Mojtaba Khamenei siguroi shumicën e nevojshme prej dy të tretash, duke reflektuar ndikimin e IRGC-së në proces.
Rezultati ishte planifikuar të shpallej në orët e para të 4 marsit, por Ali Larijani e shtyu përkohësisht njoftimin, duke paralajmëruar se publikimi i identitetit të liderit të ri mund ta bënte objektiv atentati.

Përpjekje për të penguar vendimin
Krahu moderator shfrytëzoi shtyrjen për të kërkuar rishqyrtim të vendimit, duke argumentuar se votimi duhet të zhvillohej fizikisht dhe jo virtualisht.
Dy ndihmës të lartë të Ali Khameneit dëshmuan se ai kishte kundërshtuar që një anëtar i familjes së tij ta pasonte, duke e konsideruar këtë në kundërshtim me parimet e Revolucionit Islamik të vitit 1979.
Ata paraqitën edhe një testament të shkruar me këtë qëndrim dhe kërkuan anulimin e votimit të parë, por drejtuesit e IRGC-së ndërhynë për të penguar këtë përpjekje.

Ndërhyrja e IRGC-së
Më 7 mars, një deklaratë e presidentit iranian, ku kërkoi ndjesë ndaj vendeve arabe dhe premtoi ndalimin e sulmeve, shkaktoi reagim të ashpër nga komandantët e Gardës Revolucionare, të cilët mbështesnin kandidaturën e Mojtaba Khameneit.
Më pas, ata ushtruan presion mbi Asamblenë e Ekspertëve për të zhvilluar një mbledhje të re dhe një votim përfundimtar. Hossein Taeb kontaktoi të 88 anëtarët, duke i nxitur të mbështesin Khamenein dhe duke e cilësuar këtë si “detyrim fetar dhe moral”.
Më 8 mars, u zhvillua një mbledhje e re virtuale dhe votimi u krye sërish në mënyrë të fshehtë. Mojtaba Khamenei mori 59 nga 88 vota, duke tejkaluar shumicën e kërkuar prej dy të tretash.
Pak para mesnatës, mediat shtetërore njoftuan se Irani ka një Udhëheqës të ri Suprem. Megjithatë, Mojtaba Khamenei ende nuk është shfaqur publikisht. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje