
Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj evropianë kanë shprehur shqetësim të thellë për nisjen e operacionit tokësor izraelit në Liban. Britania e Madhe, së bashku me Kanadanë, Francën, Gjermaninë dhe Italinë, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët zyrtare, ku thuhet se janë “thellësisht të shqetësuara” nga përshkallëzimi i dhunës në territorin libanez.
Në deklaratë, liderët e këtyre vendeve theksojnë nevojën urgjente për angazhim të vërtetë nga përfaqësuesit izraelitë dhe libanezë për të negociuar një zgjidhje të qëndrueshme politike dhe për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.
Ata paralajmërojnë se një ofensivë tokësore e madhe do të kishte pasoja shkatërruese humanitare dhe mund të çojë në një konflikt të zgjatur e të pakontrollueshëm në rajon. Deklarata vjen pas njoftimeve nga ushtria izraelite, e cila konfirmoi se ka filluar operacione tokësore “të kufizuara dhe të synuara” kundër Hezbollahut në Libanin jugor.
Më herët gjatë ditës, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, e përshkroi si një “manovër tokësore” të planifikuar për të zgjeruar zonën e sigurisë dhe për të goditur infrastrukturat kyçe të Hezbollahut.
Ky aksion shënon një përshkallëzim të ri në konfliktin mes Izraelit dhe Hezbollahut, i cili ka qenë në vazhdim që nga viti 2024 dhe tani duket se po hyn në një fazë të re tokësore në jug të Libanit.
Lini një Përgjigje