Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit ka alokuar 15 milionë dollarë nga fondet e mbetura të agjencisë për mbrojtjen e Vought deri në fund të vitit 2026
Sipas një raportimi ekskluziv të agjencisë Reuters, Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit e Shtëpisë së Bardhë (OMB) po përdor miliona dollarë nga fondet e mbetura të ish-agjencisë amerikane për ndihmën e jashtme, USAID, për të mbuluar shpenzimet e sigurisë së drejtorit të saj, Russell Vought.
Reuters, duke iu referuar tre dokumenteve që ka parë, raporton se OMB ka alokuar 15 milionë dollarë nga shpenzimet operative të mbetura të USAID-it për të financuar mbrojtjen e Vought nga Shërbimi i Marshalëve të SHBA-së deri në fund të vitit 2026.
Një burim i njohur me çështjen tha se ekipi i sigurisë së Vought përbëhet nga më shumë se një duzinë marshallësh federalë, por Reuters thekson se nuk arriti ta konfirmojë në mënyrë të pavarur këtë informacion.
Shërbimi i Marshallëve nuk komentoi për Vought në mënyrë specifike, duke deklaruar se nuk identifikon personat që janë nën mbrojtje, por se zakonisht kërkon rimbursim nga agjencia që mbështet.
E pyetur për përdorimin e fondeve të USAID-it, zëdhënësja e OMB-së, Rachel Cauley, deklaroi përmes emailit: “do të vazhdojmë të përdorim fondet e disponueshme në tri agjencitë që mbikëqyren nga drejtori për ta mbrojtur atë.”
Ajo duket se i referohej OMB-së, USAID-it dhe Byrosë për Mbrojtjen Financiare të Konsumatorit (CFPB), ku Vought ushtron detyrën e drejtorit.
Sipas njërit prej dokumenteve, Vought shërbeu si drejtor në detyrë i USAID-it për gati 90 ditë vitin e kaluar, përpara se zëvendësi i tij të merrte detyrën në nëntor. Ai mbetet këshilltar i lartë i agjencisë, e cila është drejt mbylljes.
Administrata e Presidentit Donald Trump e shkriu USAID-in vitin e kaluar dhe anuloi shumicën e programeve të saj të ndihmës, duke transferuar përgjegjësinë për asistencën e jashtme te Departamenti i Shtetit. Një staf i reduktuar me pak më shumë se 100 punonjës dhe kontraktorë po mbyll kontratat e mbetura, ndërsa agjencia 64-vjeçare pritet të mbyllet përfundimisht deri në shtator.
Një nga dokumentet e shqyrtuara nga Reuters tregon se OMB nënshkroi një marrëveshje me USAID-in më 11 shtator të vitit të kaluar për të mbuluar kostot e sigurisë së Vought gjatë periudhës kur ai ishte drejtor në detyrë i agjencisë, deri në nëntor. Shuma prej 1.6 milionë dollarësh u financua nga fondet operative të mbetura të USAID-it.
Sipas dokumenteve, OMB buxhetoi edhe 13.5 milionë dollarë të tjerë nga fondet e USAID-it për të mbuluar kostot e sigurisë së Vought deri në fund të këtij viti, në lidhje me rolin e tij aktual si këshilltar i lartë në USAID.
Një burim i njohur me çështjen deklaroi se Vought ka marrë kërcënime serioze, të cilat sipas tij lidhen me rolin e tij si një nga autorët kryesorë të “Project 2025”, një platformë politike konservatore që ka ndikuar në politikat e administratës Trump.
Reuters thekson se nuk arriti të verifikojë në mënyrë të pavarur këto kërcënime apo lidhjen e tyre me projektin.
Javën e kaluar, policia në Virxhinian Veriore njoftoi arrestimin e një 26-vjeçari për tentativë vrasjeje. Sipas raportimeve mediatike, objektiv ishte Vought, por një zëdhënëse e policisë së qarkut Arlington nuk e konfirmoi këtë.
Në reagimin për Reuters, zëdhënësja e OMB-së, Cauley, akuzoi “të Majtën”, pa e specifikuar më tej, se ndjek një strategji që nxit një “kulturë atentatesh kundër zyrtarëve publikë” dhe më pas shpreh habi për masat e nevojshme për sigurinë e tyre. Kjo deklaratë përfaqëson qëndrimin e OMB-së.
Reuters vëren se përdorimi i truprojave nga Vought ndodh në një periudhë me rritje të kërcënimeve dhe incidenteve të dhunës ndaj zyrtarëve, gjyqtarëve dhe politikanëve amerikanë të të dyja partive që nga viti 2020. Edhe vetë presidenti Trump ka qenë objekt i dy tentativave për atentat.
Në korrik, Vought kërkoi fonde nga CFPB për të ndihmuar në mbulimin e 4.7 milionë dollarëve për shpenzimet e sigurisë për pjesën e mbetur të vitit 2025, sipas një emaili të parë nga Reuters dhe një burimi të informuar. Fillimisht këtë email e raportoi media GovExec.
Presidenti Trump urdhëroi mbylljen e USAID-it menjëherë pas marrjes së detyrës në janar, duke pretenduar, pa paraqitur prova, se agjencia ishte e përfshirë në korrupsion.
Rreth 10 mijë punonjës dhe mijëra kontraktorë të USAID-it u pushuan nga puna dhe mijëra programe u ndërprenë, duke ndikuar në operacionet humanitare të financuara nga SHBA në mbarë botën. USAID ndaloi shpërndarjen e ndihmës në korrik. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje