
Rusia ka kërcënuar me vdekje presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky pas sulmit me dron që u bë mbi pallatin presidencial në Kremlin mbrëmjen e kaluar.
Ishte Dmitry Medvedev i cili bëri një deklaratë të fortë ditën e sotme si reagim ndaj sulmit ukrainas në Kremlin. Ai tha se pas këtij veprimi nga ana e Ukrainës, Moskës si mbetet alternativë tjetër veçse të eliminojë fizikisht Zelenskyn.
"Pas sulmit terrorist të sotëm , nuk ka alternativa të tjera përveç eliminimit fizik të Zelenskyt . Nuk është as e nevojshme të nënshkruhet akti i dorëzimit të pakushtëzuar. Edhe Hitleri, siç e dini, nuk e ka nënshkruar atë", kërcënoi ish presidenti rus.
Kujtojmë se në orët e para të mëngjesit të sotëm një dron kamikaz fluturoi mbi ndërtesën presidenciale në Kremlin dhe më pas shpërtheu sipër kupolës së saj. Rusia ka akuzuar Ukrainën për sulmin dhe e ka konsideruar atë si një atentat ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.
Nga sulmi me dron nuk ka pasur viktima dhe as dëme materiale. Ndërkohë që Kremlini paralajmëroi se Rusia rezervon të drejtën për t'u hakmarrë.
“Kremlini i ka vlerësuar këto veprime si një akt të planifikuar terrorist dhe një atentat ndaj presidentit në prag të Ditës së Fitores, Paradës së 9 Majit”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve RIA, duke shtuar se Putin nuk e kishte ndryshuar orarin e tij dhe po punonte si zakonisht.
Pavarësisht pretendimeve të Rusisë, Ukraina ka mohuar përfshirjen në sulm. Këshilltari presidencial, Mykhailo Podolyak tha se Kievi nuk ka asnjë lidhje me sulmin, pasi një veprim i tillë nuk do t’i sillte përfitime Ukrainës.
"Sigurisht që Ukraina nuk ka asnjë lidhje me sulmet me dronë ndaj Kremlin. Ne nuk e sulmojmë Kremlinin sepse para së gjithash një gjë e tillë nuk ofron asnjë zgjidhje të natyrës ushtarake", tha zoti Podolyak.
Podolyak tha se pretendimi i Moskës se Ukraina qëndron pas sulmit të dukshëm mund të tregojë se Rusia po planifikon një sulm terrorist kundër Ukrainës në ditët në vijim./Pamfleti