
Një ngjarje e rëndë ka tronditur ishullin francez Île d’Oléron, pasi një 35-vjeçar ka përplasur me makinë një grup njerëzish. Mësohet se mes tyre ishte edhe një zyrtare të partisë së Le Pen.
Sipas autoriteteve franceze, raportohet se dhjetë persona mbetën të plagosur, ndërsa tre prej tyre ndodhen në gjendje kritike. Ndërsa autori i sulmit është arrestuar menjëherë në vendngjarje.
Policia franceze njoftoi se i dyshuari është banor i ishullit Oléron dhe ka një histori të gjatë penale, përfshirë sjellje të papërshtatshme, përdorim droge dhe alkooli.
Gjatë kontrollit të mjetit, hetuesit gjetën disa bombola gazi, çka ngre dyshime se ai mund të ketë synuar të shkaktonte një shpërthim. Para arrestimit, ai u përpoq t’i vinte flakën makinës, por u neutralizua nga policia.
Prokurori i La Rochelle tha se veprimi ishte “i qëllimshëm”, por motivi ende nuk është konfirmuar.
“Në momentin e arrestimit ai bërtiti ‘Allahu Ekber’. Hetimi do të përcaktojë motivet e sakta të sulmit”, deklaroi prokurori.
Ndër të plagosurit është edhe Emma Vallain, 22-vjeçarja asistente parlamentare e deputetit Pascal Markoësky, anëtar i Tubimit Kombëtar të Marine Le Pen.
Presidenti i partisë, Jordan Bardella, u shpreh se është “thellësisht i tronditur” dhe shpreh ngushëllimet e tij për të plagosurit, veçanërisht për Emmën e vogël.
Edhe politikani Éric Zemmour, lider i partisë Ripushtimi, reagoi në rrjetet sociale.
“Vetëm pak vite më parë, vende si Île d’Oléron ishin të qeta. Sot shohim xhihadistë që shfaqen në të gjithë Francën. Mendimet e mia janë me viktimat”, tha ai.
Ministri i Brendshëm francez konfirmoi se ka nisur një hetim për tentativë vrasjeje, ndërsa shërbimet e antiterrorit ndodhen në vendngjarje.
“Këtë mëngjes, një shofer goditi këmbësorë dhe çiklistë në Saint-Pierre-d’Oléron dhe Dolus-d’Oléron. Dy persona janë në gjendje kritike dhe tre të tjerë të plagosur rëndë. Autori u arrestua nga xhandarmëria”, shkroi ministri në platformën X.
Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili po udhëton drejt Brazilit, po ndjek situatën në kohë reale përmes Ministrit të Brendshëm.
“Pashë një grua të shtrirë përtokë, pa lëvizur. Mendova se ishte e vdekur. U deshën rreth 35 minuta që ambulancat të mbërrinin dhe më pas ajo u transportua me helikopter në spital”, tregon një dëshmitar.
Lini një Përgjigje