
Kryeministri i fundit laburist ishte Ehud Barak, mandati i të cilit përfundoi në vitin 2001. Pas tij, e majta nuk krijoi më një pol të qartë politik, nuk prodhoi liderë me peshë dhe shpesh hyri si partner i vogël në qeveritë e udhëhequra nga Netanyahu...
Historia e shtetit të Izraelit lindi me një prirje të fortë majtiste, të paktën brenda krahut sionist të së majtës. Themeluesit e shtetit e bazuan programin e tyre politik mbi laicitetin e institucioneve dhe mbi modelin bujqësor të kibucëve, që për dekada u shndërruan në simbolin e shoqërisë izraelite.
Jo rastësisht, për 29 vitet e para të ekzistencës së shtetit, skenën politike e dominoi Partia Laburiste (dikur Mapai), e cila dha të gjithë kryeministrat nga viti 1948 deri më 1977, vit kur për herë të parë në pushtet erdhi një qeveri e djathtë.
Megjithëse Likud fitoi terren, laburistët mbajtën një rol të rëndësishëm në politikën izraelite deri një dekadë më parë, kur nisën rënien e gjatë dhe u afruan pothuajse drejt zhdukjes. Por me krijimin e Partisë Demokratike në vitin 2024, sondazhet tregojnë një rikthim të mundshëm të së majtës në parlament.
Fund i bipolarizmit klasik
Rënia e laburistëve lidhet me ndryshimet e shoqërisë izraelite: sot vetëm 1% e popullsisë jeton në kibucë, ekonomia u liberalizua fort në vitet ’90 dhe opinioni publik është zhvendosur gradualisht djathtas. Një pikë kthese ishte vera e vitit 2005, kur ish-kryeministri Ariel Sharon u shkëput nga Likud dhe krijoi partinë e qendrës Kadima, duke bashkuar figurat më të moderuara të të dyja krahëve politikë. Kështu u thye ndarja klasike mes të majtës dhe të djathtës dhe laburistët nisën humbjen graduale të mbështetjes. Në vitin 2009 ata siguruan më pak se 15 mandate, në vitin 2019 zbritën nën 10, dhe në zgjedhjet e fundit arritën vetëm 4 deputetë.
Një favor për Netanyahun
Pas krijimit të Kadima-s, dukej se Likud do të mbetej në margjina, por nën drejtimin e Benjamin Netanyahut ndodhi e kundërta: partia e djathtë u forcua, ndërsa laburistët vazhduan rënien. Kjo, sipas analistëve, ndodhi sepse e majta nuk gjeti mjetet dhe figurat e duhura për t’u përshtatur me ndryshimet politike dhe shoqërore të vendit.
Kryeministri i fundit laburist ishte Ehud Barak, mandati i të cilit përfundoi në vitin 2001. Pas tij, e majta nuk krijoi më një pol të qartë politik, nuk prodhoi liderë me peshë dhe shpesh hyri si partner i vogël në qeveritë e udhëhequra nga Netanyahu. Kjo mungesë alternative konsiderohet sot si një ndër arsyet kryesore të qëndrueshmërisë së Netanyahut në pushtet që nga viti 2009.
Rikthimi me Yair Golan
Në vitin 2024 nisi procesi i bashkimit mes laburistëve dhe partisë tjetër të majtë, Meretz, për të krijuar një bllok socialdemokrat dhe liberal. Në korrik, ish-gjenerali Yair Golan fitoi primaret e laburistëve dhe mori drejtimin e formacionit të bashkuar, tashmë me emrin Partia Demokratike.
Golan, që në vitin 2016 ishte pranë postit të shefit të ushtrisë, është i njohur për qëndrime të forta: gjatë një ceremonie përkujtimore të Holokaustit ai paralajmëroi për “ngjashmëri shqetësuese midis proceseve që ndodhën në Gjermani 80 vjet më parë dhe disa fenomeneve që shfaqen sot në Izrael”. Në një tjetër rast, ai e quajti “nën-njerëzor” mentalitetin e kolonëve që pushtojnë tokat palestineze në Bregun Perëndimor.
Sot, pas bashkimit të së majtës nën drejtimin e tij, sondazhet i japin Partisë Demokratike rreth 11 mandate, larg periudhës së artë të laburistëve, por mjaftueshëm për të rikthyer zërin e së majtës në arenën politike izraelite. /Përshtati “Pamfleti” nga “Inside Over”
Lini një Përgjigje