
Presidenti Donald Trump mund të mos jetë i pranishëm në ndeshjen e parë të Shteteve të Bashkuara në Kupën e Botës 2026, ku kombëtarja amerikane do të përballet me Paraguajin.
Deri më tani, presidenti amerikan nuk ka dhënë një konfirmim të qartë për pjesëmarrjen e tij në sfidën hapëse të ekipit vendas. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, ndeshjen e së premtes në Los Anxhelos do ta ndjekë Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
Në delegacionin qeveritar do të bëjnë pjesë gjithashtu edhe Sekretari i Transporteve, Sean Duffy, si dhe Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin.
“Kupa e Botës përfaqëson një moment të rëndësishëm për administratën Trump, duke vënë në pah lidershipin dhe mikpritjen amerikane përpara një audience globale, në një periudhë kur vendi feston 250-vjetorin e themelimit,” deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott.
Shtetet e Bashkuara do të luajnë të premten ndaj Paraguajit, në ndeshjen që hap rrugëtimin e tyre në Botërorin 2026, i organizuar bashkërisht nga SHBA-ja, Meksika dhe Kanadaja. Në kuadër të këtij eventi, Marco Rubio pritet të zhvillojë edhe një takim dypalësh me presidentin e Paraguajit, Santiago Peña, një nga partnerët më të afërt të Uashingtonit në rajon.
SHBA-ja është pjesë e Grupit D, së bashku me Paraguajin, Turqinë dhe Australinë.
Megjithëse mungon një konfirmim zyrtar, Trump ka lënë të kuptohet se synon të ndjekë nga afër turneun.
“Do të shkoj, do të shkoj”, iu përgjigj ai një gazetari të AFP-së nga Zyra Ovale, kur u pyet nëse planifikon të ndjekë një ose më shumë ndeshje të Kupës së Botës, pa dhënë detaje të tjera.
Botërori zhvillohet gjithashtu në një klimë debatesh për politikat e ashpra amerikane ndaj emigracionit, ku Marco Rubio konsiderohet një nga figurat kryesore që i mbështet ato. Kjo ka shtuar shqetësimet mes tifozëve të huaj që planifikojnë të udhëtojnë drejt SHBA-së, për shkak të frikës nga kontrollet e rrepta të autoriteteve amerikane të emigracionit (ICE).
Lini një Përgjigje