Izraeli ka reaguar pas deklaratave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, e cila pretendoi se ka sulmuar zyrën e kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Sipas “The Times of Israel”, nga sulmet e raportuara nuk ka persona të plagosur. Autoritetet izraelite nuk kanë bërë të ditur dëme në objektet e përmendura nga pala iraniane.
Më herët, Garda Revolucionare deklaroi se në valën e dhjetë të sulmeve të saj kishte shënjestruar zyrën e kryeministrit izraelit dhe selinë e komandantit të Forcave Ajrore të Izraelit.
“Zyra e kryeministrit kriminel të regjimit sionist dhe selia e komandantit të Forcave Ajrore të regjimit u sulmuan dhe u dëmtuan rëndë nga forcat e armatosura të Republikës Islamike në sulme të synuara dhe të papritura me raketa Khyber. Tani, fati i kryeministrit të regjimit sionist është në një re pasigurie”, citohet të ketë raportuar agjencia iraniane e lajmeve Tasnim.
Ky zhvillim vjen në një periudhë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, pas raportimeve për sulme të njëpasnjëshme mes palëve. Prej dy ditësh, që nga sulmi amerikan ndaj objektivave në Iran, rajoni përballet me përshkallëzim të situatës së sigurisë. Mediat ndërkombëtare raportojnë për rritje të shkallës së gatishmërisë ushtarake dhe paralajmërime për reagime të mëtejshme, ndërsa komuniteti ndërkombëtar bën thirrje për përmbajtje dhe ulje të tensioneve.
Lini një Përgjigje