Bota25 Shkurt 2023, 18:19

Kritikuan reagimin e qeverisë pas tërmetit, arrestohen katër gazetarë në Turqi

Shkruar nga Pamfleti

Kritikuan reagimin e qeverisë pas tërmetit, arrestohen katër

Katër gazetarë po përballen me akuza penale pasi kanë kritikuar përpjekjet e qeverisë për shpëtimin e njerëzve të ndodhur nën rrënoja, si pasojë e tërmetit shkatërrimtarë të 6 shkurtit.

Të paktën katër gazetarë turq janë nën hetim për raportimin mbi tërmetet që vranë rreth 50,000 njerëz në Turqi dhe Siri.

Presidenti turk Rexhep Tayyip Erdoğan kishte paralajmëruar më herët ata që raportojnë për tërmetin shkatërrues, që të mos përhapnin lajme të rreme dhe të mos shkaktonin kaos social, pasi do të ndiqeshin penalisht.

Një gazetar i pavarur, Mir Ali Kocer, i cili tani është nën hetim nga autoritetet është shprehur se ai nuk ka ndarë informacione pa hulumtime dhe analiza të plota. Ndërkohë që Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve ka pohuar se të paktën tre gazetarë të tjerë po përballen me akuza penale për raportim ose komentim mbi tërmetin.

Merdan Yanardag dhe Enver Aysever kritikuan përpjekjet e qeverisë për shpëtimin e njerëzve në ditët pas tërmetit. Të dy janë arrestuar nga autoritetet dhe sipas raportimeve ata mund të përballen me tre vjet burg.

Pak ditë më parë, policia pengoi gazetaren Sibel Tekin dhe avokaten e saj të mbanin një konferencë për shtyp para gjykatës. Të paktën pesë gazetare gra u penguan nga autoritetet që të flisnin sërish, u kërcënuan dhe u ndoqën nga policia.

Grupet e lirisë së shtypit kanë pohuar se dhjetëra janë arrestuar, ngacmuar ose penguar të raportojnë. Kritikët e qeverisë, megjithatë, pohojnë se goditja e fjalës së lirë ka shkuar shumë larg. “Qeveria po përpiqet të shtypë informacionin që vjen nga zona e tërmetit,” janë shprehur ekspertët.

Ndërkaq lëkundje të tjera me magnitudë 5.5 janë ndier në Turqi gati tri javë pas tërmeteve shkatërtimtare që shembën më shumë se 160,000 ndërtesa, me 520,000 apartamente në të gjithë Turqinë dhe Sirinë dhe lanë miliona të pastrehë. Erdogan është zotuar gjithashtu të rindërtojë banesat brenda një viti.

Autoritetet thonë se çadra janë dërguar për shumë të pastrehë, por njerëzit kanë raportuar probleme për t’i aksesuar ato . Shkollat po përdoren si qendra të shpërndarjes së ndihmës nga një grup vullnetarësh të quajtur Interrail Turkey.

Plani fillestar i qeverisë turke tani është të ndërtojë 200,000 apartamente dhe 70,000 shtëpi fshati me një kosto prej të paktën 15 miliardë dollarë. Banka amerikane JPMorgan ka vlerësuar se rindërtimi i shtëpive dhe infrastrukturës do të kushtojë 25 miliardë dollarë.

arrestohen gazetarët turqi