TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Gusht 2025, 16:42

Lufta në Lindjen e Mesme, Izraeli sulmon rebelët Houthi në kryeqytetin e Jemenit

Shkruar nga Pamfleti

Lufta në Lindjen e Mesme, Izraeli sulmon rebelët Houthi në

Sulmet ajrore izraelite kanë goditur kryeqytetin jemenas, Sana ditën e sotme. Këto sulme vijnë vetëm disa ditë pasi rebelët jemenas, të mbështetur nga Irani, gjuajtën municione thërrmuese drejt Izraelit.

Televizioni Al-Masirah, që udhëhiqet nga rebelët Huthi, raportoi për sulmet. Këto janë sulmet e para në Sana, që kontrollohet nga rebelët, që nga 17 gushti, kur Izraeli shënjestroi infrastrukturën energjetike që besohej se përdorej nga rebelët. Ndërkohë, Izraeli ende nuk ka konfirmuar sulmet e së dielës.

Rebelët Huthi kanë lëshuar raketa e dronë drejt Izraelit dhe kanë shënjestruar anije në Detin e Kuq për më shumë se 22 muaj. Ata thonë se sulmet kryhen në shenjë solidariteti me palestinezët, që po përballen me luftë në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023.

Këto raketa dhe dronë të lëshuar nga rebelët zakonisht rrëzohen para se të arrijnë në Izrael.

Një zyrtar i Forcave Ajrore të Izraelit, duke folur në kushte anonimiteti, tha se predha e lëshuar nga Jemeni drejt Izraelit të premten mbrëma paraqiti një kërcënim të ri. Raketa ishte e mbushur me municion thërrmues.

Kjo ishte hera e parë që rebelët Huthi, lëshuan predha të tilla drejt Izraelit, që kur grupi militant filloi të gjuante raketa drejt Izraelit në vitin 2023, tha zyrtari. Sipas tij, përdorimi i municioneve thërrmuese e bën të vështirë që Izraeli t’i rrëzojë ato dhe po ashtu është tregues se rebelët Huthi kanë siguruar teknologji shtesë nga Irani./REL

Lini një Përgjigje