
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë shënimit të Ditës së Pavarësisë të Ukrainës tha se shteti i tij “nuk do të humbë” luftën kundër Moskës. Ndërkohë, forcat ruse po bëjnë përparime në fushëbetejë në kohën kur po bëhen përpjekje diplomatike për t’i dhënë fund luftës që ka nisur mbi tre vjet më parë.
“Ukraina ende nuk ka fituar, por me siguri nuk do të humbasë”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas shtoi se pavarësisht se pjesë të shtetit të tij aktualisht janë të okupuara nga forcat ruse, ka “vetëm një Ukrainë” dhe se “ne duhet të jemi së bashku si një familje”.
Zelensky iu referua diplomacisë me Rusinë, ndërkohë që presidenti amerikan, Donald Trump, po përsërit thirrjet për bisedime të paqes në mënyrë që t’i jepet fund luftës.
“Ukraina kurrë nuk do të pranojë sërish poshtërimin për atë që rusët e quajnë ‘kompromis’. Ne na duhet një paqe e drejtë në të cilën ne do të vendosim për të ardhmen tonë”, tha ai.
Më 24 gusht, Ukraina shënon ditën e pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik, teksa vendi po përballet me një realitet të ri si në fushëbetejë ashtu edhe jashtë saj.
Rusia tha ditën e djeshme se forcat e saj në lindje të Ukrainës kanë marrë nën kontroll dy fshatra në rajonin e Donjeckut, ndërsa ushtria e Ukrainës bëri të ditur se forcat e saj kishin rimarrë një vendbanim në skajin perëndimor të rajonit Dnipropetrovskut.
Moska gjithashtu njoftoi se kishte shuar një zjarr në një central bërthamor në rajonin perëndimor Kursk, pasi mbrojtja ajrore ruse pretendoi se kishte rrëzuar një dron ukrainas.
Këtë muaj po ashtu ka pasur përpjekje intensive diplomatike për t’i dhënë fund luftës, përfshirë një samit të profilit të lartë mes Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin, në Alaskë.
Pas kësaj u zhvilluan bisedime në Shtëpinë e Bardhë mes Trumpit, Zelenskyt dhe udhëheqësve evropianë.
Trump ka paralajmëruar një takim të mundshëm mes Zelenskyt dhe Putinit, por një takim i tillë ende nuk ka ndodhur. Udhëheqësi amerikan ka thënë se do të presë dy javë për të parë se çfarë do të ndodhë dhe më pas do të vendosë për hapat e radhës, që mund të përfshijnë edhe sanksione të reja ndaj Rusisë./ REL
Lini një Përgjigje