TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota11 Shkurt 2026, 17:00

Masakra në Kanada, reagon kryeministri Carney: Dënoj ashpër sulmin e tmerrshëm!

Shkruar nga Pamfleti

Masakra në Kanada, reagon kryeministri Carney: Dënoj ashpër

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka reaguar pas sulmit me armë zjarri në një shkollë në provincën e Kolumbisë Britanike. Ai e ka cilësuar “sulmin si të tmerrshëm”, i cili la pas 10 të vdekur dhe 27 të plagosur.

“Kanadaja është në zi”, deklaroi Carney, ndërsa bëri të ditur se ministri federal i Sigurisë Publike, Gary Anandasangaree, është nisur drejt qytetit Tumbler Ridge, ku ndodhi ngjarja.

Sipas policisë, 10 persona kanë humbur jetën, mes tyre edhe autorja e dyshuar e sulmit, pasi një person i armatosur hapi zjarr në një shkollë të mesme dhe në një banesë në këtë qytet të vogël në perëndim të Kanadasë. Rreth 27 persona të tjerë mbetën të plagosur, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë.

“Do ta kalojmë këtë. Do të mësojmë nga kjo. Tani është koha të afrohemi me njëri-tjetrin, siç bëjnë gjithmonë kanadezët në situata të tilla të tmerrshme, të mbështesim njëri-tjetrin, të vajtojmë së bashku dhe të ecim përpara së bashku”, tha Carney.

Kryeministri njoftoi gjithashtu se flamujt në të gjitha ndërtesat qeveritare do të ulen në gjysmështizë për shtatë ditët e ardhshme, në shenjë zie.

Autoritetet kanë konfirmuar se autorja e dyshuar është një grua, por nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi identitetin apo motivet e saj. Ende nuk është bërë e ditur sa nga viktimat janë të mitur. Shkolla në Tumbler Ridge ka rreth 160 nxënës, të moshës 12 deri në 18 vjeç.

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.

Lini një Përgjigje