TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Qershor 2025, 22:29

Mbaroi epoka e idealeve, bota po ndahet midis autokratëve Trump dhe Putin

Shkruar nga Fabio Martini

Mbaroi epoka e idealeve, bota po ndahet midis autokratëve Trump dhe Putin

Ne jemi duke shkuar drejt një ndarjeje të re të botës.

Ish-kryeministri italian Romano Prodi: Po shkojmë drejt një ndarjeje të re të botës. Putini ka dorë të lirë në Ukrainë, ndërsa Trump në Lindjen e Mesme. Pra po shkojmë drejt një ekuilibri midis dy autoritarizmave, që merr parasysh vetëm ata që janë në pushtet dhe jo popujt.

Gjatë jetës së tij të gjatë, Romano Prodi ka takuar dhe është përballur me udhëheqësit kryesorë të botës, nga George W.Bush tek Vladimir Putin, nga Helmut Kohl te Benjamin Netanyahu, nga udhëheqësit kinezë tek ata iranianë.

Dhe për profesorin, trazirat e këtyre ditëve të fundit në Lindjen e Mesme, tregojnë se kemi hyrë në një epokë thellësisht të ndryshme nga ato të mëparshmet: “Po jetojmë në një fazë të re, në të cilën dominon ideja se forca është gjithçka dhe vendos gjithçka. Një ide që shoqërohet me përbuzje për ligjin. Jemi ankuar kaq shumë për autoritarizmin rus dhe kinez, por po shkojmë drejt një tatëpjete të rrezikshme. Pikërisht këto ditë që po festojmë 80 vjetrin e miratimit të Kartës së OKB-së, detyrohemi ta përkujtojmë me hidhërim këtë përvjetor. Mjerisht ka marrë fund, ëndrra që mori formë në periudhën e parë të pasluftës!” .

Po ashtu, ish-kryeministri i Italisë dhe ish-presidenti i Komisionit Evropian, sheh një hendek të madhe midis të kaluarës së afërt dhe kaosit aktual të botës duke rikujtuar një nga misionet e tij në Iran: “Në gjysmën e dytë të viteve 1990, pavarësisht periudhës së gjatë të tensionit me Teheranin, Italia ishte vendi i parë që shkoi të monitoronte. Gjatë një bisedë të drejtpërdrejtë, e kisha bindur presidentin amerikan Bill Clinton, se mund të ishte e dobishme të rifillonte një dialog me një vend që do të kishte pasur një rol të madh politik. Në fakt, ky parashikim ishte i bazuar. Ishte fillimi i një shtensionimi shumë të vështirë të raporteve në skenën ndërkombëtare. Por më pas, Irani për fat të keq u radikalizua edhe më shumë”.

Përmes hiperbolave të tij, Trump ka shpallur me bujë fundin e përhershëm të konflikteve në Lindjen e Mesme, por armëpushimi Izrael-iran është shumë i brishtë. A mos kemi hyrë vallë në epokën e luftërave demonstrative, të cilat na lejojnë të këndojmë festën e fitores për disa orë ose javë, por që në thelb i lënë problemet të pandryshuara?

Po, dhe kështu përkeqësohen problemet. Ne jemi duke shkuar drejt një ndarjeje të re të botës. Unë nuk dua që të jem si personazhi kinematografik Dr. Strangelov. Megjithatë jam i bindur se ngjarjet e fundit, kanë forcuar një marrëdhënie në të cilën Putini ka dorë të lirë në Ukrainë, ndërsa Trump në marrëveshje me Izraelin, në Lindjen e Mesme. Pra shkojmë drejt një ekuilibri midis dy autoritarizmave, që mund t’i japë botës edhe stabilitet. Por do të jetë një stabilitet i tmerrshëm, sepse merr parasysh vetëm ata që janë në pushtet dhe jo popujt.

Një paradoks që vlen edhe brenda Shteteve të Bashkuara? Me mosrespektimin e rregullave themelore, me arrestimet e paligjshme të parlamentarëve, a mund të imagjinohet që edhe atje po ndodh “ndryshimi i regjimit”? Sigurisht. Dhe nga ana tjetër, nëse forca është gjithçka, atëherë ata që nuk kanë forcë, janë jashtë loje. Pas 177 vitesh nga Manifesti i Marksit dhe Engelsit, i cili iu drejtua proletariatit të të gjithë botës, kemi arritur tek thirrja “Autokratë të të gjithë botës bashkohuni!”. Paradoksi? Duke pasur parasysh forcën e tij, sot koordinatori i autoritarizmit është pikërisht vendi që për kaq shumë kohë ka mbështetur rrugën e kundërt: atë të demokracisë.

Muajt e fundit, Gjermania, Franca dhe Britania kanë ndërmarrë nisma potencialisht strategjike, duke i paraprirë një trojkë të re. Por a po përpiqet BE-ja që ta marrë kontrollin e situatës? Unë nuk mendoj se këto dialogje të fragmentuara midis 3 vendeve, do të ndryshojnë thelbin e gjërave. Prej një kohë shumë të gjatë, Evropa nuk ka vendosur asgjë politikisht të rëndësishme për botën. Euro dhe zgjerimi i bllokut, të cilat janë dy projektet e fundit të mëdha evropiane, datojnë dekada më parë.

Pati një ringjallje të unitetit gjatë pandemisë së Covid-19, por ka përçarje për gjithçka tjetër. Më vjen shumë keq, edhe nëse nuk më habit, që sipas sondazheve të opinionit, të shtrira në vendet kryesore evropiane, të rinjtë, pavarësisht programit shkollor Erasmus, janë më euroskeptikë sesa të moshuarit. Ata kanë jetuar në një periudhë, në të cilën Bashkimi Evropian ka ndërmjetësuar vetëm. Pra kemi një Evropë të dobësuar dhe gjithnjë e më pak e sigurt te vetja.

Evropa e re mund të lindë nga një mbrojtje e përbashkët. Por a nuk është i ngurtë rregulli i NATO-s: 5 për qind shpenzime të PBB-së për mbrojtjen? Propozimet e rrepta, shërbejnë për të lehtësuar konsensusin, por ato nuk e garantojnë efektivitetin e angazhimit. Sigurisht, me politikën e re amerikane ne duhet të shpenzojmë më shumë për mbrojtjen tonë, por përpara se të përcaktojmë se sa, duhet të kishim përcaktuar se si.

Duke vazhduar me një shpenzim edhe më në rritje, të ndarë midis 27 vendeve të ndryshme, ne do ta rrisim shumë angazhimin financiar, por në realitet jo kapacitetin tonë mbrojtës. Një mbrojtje e përbashkët, nënkupton një qendër të vetme vendimmarrëse, rregulla të përbashkëta operative por edhe struktura të përbashkëta prodhimi. Nëse i interpretojmë fjalë për fjalë deklaratat e Trump, ne nuk do të kemi kurrë një mbrojtje të përbashkët nëse vazhdojmë të blejmë nga Shtetet e Bashkuara armët më të sofistikuara.

Amerikanët do ta heqin ombrellën e tyre mbrojtëse në Evropë, dhe për momentin përgjigja ka qenë shumë ombrella kombëtare. Për të përshpejtuar ndërtimin e një mbrojtjeje të përbashkët dhe të integruar, a nuk do të duhej edhe një protagonizëm politik i partive të mëdha evropiane, PPE dhe PSE? Nëse jo tani, atëherë kur?

Sigurisht, por duhet ta pranojmë që kjo nuk po ndodh për momentin. Ka shumë përçarje në vendet e ndryshme evropiane, dhe ndarjet kanë edhe linja partiake. Megjithatë, ne mund të shkëputemi nga politika aktuale e hapave të vegjël, duke miratuar një propozim që është revolucionar në mënyrën e tij.

Vendimi i fundit popullor por negativ, ishte refuzimi i Kushtetutës Evropiane nga Franca dhe Holanda. Tani duhet të kemi një referendum evropian për të shfuqizuar rregullin paralizues të unanimitetit në vendimmarrje. Ne vazhdojmë ta përsërisim në mënyrë retorike: “Sa të bukur jemi!”, “Sa të aftë jemi!”.

Por për të mbrojtur të drejtat duhen vendime, dhe për ta bërë këtë nevojitet një referendum që u bën thirrje 350 milionë votuesve të shprehin mendimin e tyre, për të përcaktuar nëse Evropa do të jetë në gjendje të vendosë në të ardhmen.

Në fjalimin e saj më të fundit në parlament, Meloni përdori fjalë të ashpra për veprimet e Izraelit në Gaza. A po bën qeveria atë që mundet në lidhje me Lindjen e Mesme dhe Evropën? Apo po qëndron pezull, duke pritur që të kalojë më e keqja?

Qeveria jonë po ndjek udhëzimet e Donald Trumpit. E djathta evropiane, duke nisur nga ajo italiane, e mbështet presidentin e Shteteve të Bashkuara, ashtu si dikur partitë komuniste ndiqnin Bashkimin Sovjetik. Në këtë kontekst, të jesh përkrah Trumpit, do të thotë të jesh mosbesues ndaj Evropës./Përshtati "Pamfleti" nga “La Stampa”

Lini një Përgjigje