Kosova13 Shkurt 2024, 11:39

Ndalimi i dinarit serb në Kosovë, Escobar “ia kalon topin” BE-së: Palët t'i rikthehen dialogut!

Shkruar nga Pamfleti
Ndalimi i dinarit serb në Kosovë, Escobar “ia kalon topin”
Gabriel Escobar

Escobar e vlerësoi si “veprim të njëanshëm i cili prodhon pasoja” çështjen e zbatimit të Rregullores së BQK-së e cila ndalon dinarin serb në Kosovë.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka komentuar sërish rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës që përjashton dinarin nga përdorimi.

Escobar ia kaloi topin BE-së, ku tha se ky vendim i ri duhet të zgjidhet në tryezën e dialogut në Bruksel dhe t’i komunikohet qytetarëve që preken për një kohë të vazhdueshme.

Ndër të tjera, Escobar theksoi se SHBA është e gatshme t’i ndihmojë të dyja vendet. Lidhur me këtë deklaratë Escobar iu referua qëndrimeve të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

“Kjo çështje duhet të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian si dhe që vendimet të tilla duhet të komunikohen me kohë të mjaftueshme dhe me njoftim të mjaftueshëm te popullata e cila ndikohet; dhe ne qëndrojmë të gatshëm t’i ndihmojmë të dyja vendet që të zgjidhin çështjen. Por, që të dyja duhet t’i rikthehen dialogut dhe t’i përmbushin marrëveshjet ekzistuese”, tha Gabriel Escobar në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”.

Escobar shtoi se “shumë nga këto çështje” parashikohen të zgjidhen përmes Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, përkatësisht se në draft-Statutin e BE-së ky trup do të financohej nga Serbia përmes një banke të regjistruar dhe licensuar nga Banka Qendrore e Kosovës, ku edhe do t’i nënshtrohej vëzhgimit dhe transparencës brenda kornizës ligjore të Kosovës.

Në lidhje me çështjen e dinarit, edhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, u pyet nga “Tanjug”, ku theksoi se ShBA e ka shprehur që në fillim “shqetësimin e saj” në raport me atë se si ndikon ajo “te njerëzit e zakonshëm”.

“Nuk dua të hyjë në detaje se çfarë po ndodh në Kosovë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë tejet e qartë rreth shqetësimeve ndaj kësaj përpjekje për të ndaluar dinarin dhe çfarë kjo do të thotë për njerëzit normalë mesatarë; ShBA ka qenë shumë e qartë”, tha Hill.

Vendimi që hyri në fuqi me 1 shkurt, nënkupton heqjen nga përdorimi të dinarit të Serbisë, që ende përdoret në zonat e banuara me shumicë serbe posaçërisht në veriun e Kosovës.

Rregullorja ka nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit dhe përfaqësuesve politik të serbëve në Kosovë, të cilët vlerësojnë se ky vendim rrezikon mbijetesën e komunitetit serb por edhe shqetësimet e diplomatëve perëndimorë se ajo mund të nxisë tensione të reja.

Kryeministri Albin Kurti bëri më dije se është vendosur një periudhë njëmujore për të lehtësuar rregulloren e re, e cila do të lejonte komunikim të mëtejshëm dhe kohë për të zgjidhur këto çështje.

gabriel escobar