
Brukseli po përgatitet të shqyrtojë praktikat kufitare të Gjermanisë, ndërsa qeveria e Friedrich Merz po shqyrton nëse duhet të zgjasë kontrollet e brendshme të Shengenit...
Komisioni Europian do të nisë në mars një vlerësim të përbashkët me shtetet anëtare për të shqyrtuar mënyrën si Gjermania zbaton rregullat dhe garancitë e zonës Shengen. Dy burime të njohura me procesin konfirmuan për POLITICO se ky vlerësim vjen pas një hetimi të medias, i cili zbuloi se autoritetet gjermane kishin shënuar si kërcënim për sigurinë disa shtetas ukrainas që kishin vuajtur dënime në burgje nën kontrollin rus dhe u kishin ndaluar hyrjen në Bashkimin Europian.
Vlerësimi pritet të shqyrtojë më nga afër qasjen e Berlinit ndaj kontrollit të kufijve. Gjermania ka vendosur kontrolle të përkohshme dhe të rastësishme policore përgjatë kufijve të saj kombëtarë dhe po përdor teknologji për të ndikuar edhe në mënyrën si shtete të tjera menaxhojnë kufirin e jashtëm të BE-së.
Qeveria konservatore e kancelarit Friedrich Merz e ka theksuar zbatimin e rreptë të kufijve si pjesë të axhendës së saj për migracionin dhe sigurinë. Sipas raportimit të POLITICO-s, administrata e Merz i sheh kontrollet dhe deportimet edhe si përgjigje ndaj presionit të brendshëm politik dhe rritjes së mbështetjes për partinë e djathtë ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD). Në mars, qeveria duhet të vendosë nëse do t’i zgjasë për gjashtë muaj të tjerë kontrollet e përkohshme, të cilat disa aktorë i kritikojnë si të papajtueshme me parimin e lëvizjes së lirë në BE.
Eurodeputeti slloven Matjaž Nemec, anëtar i grupit të mbikëqyrjes së kufijve Shengen në Parlamentin Europian, deklaroi se “zona Shengen po copëtohet”, duke kritikuar Komisionin për mungesë reagimi ndaj shkeljeve të mundshme nga shtete të mëdha si Gjermania dhe Franca.
Sipas hetimit të POLITICO-s, Gjermania ka futur në Sistemin e Informacionit Shengen (SIS) sinjalizime për disa refugjatë ukrainas që kishin qenë të burgosur në institucione penale nën kontroll rus. Autoritetet ukrainase kishin ndarë një listë me 3.738 ish-të burgosur me agjencinë europiane të zbatimit të ligjit, Europol, vetëm për qëllime informuese. Megjithatë, disa emra përfunduan në SIS, databaza që lidh autoritetet kufitare dhe policore të BE-së dhe mundëson shkëmbim njoftimesh në kohë reale.
Ministria e Brendshme gjermane deklaroi me shkrim për POLITICO se sinjalizimet për refuzim hyrjeje lëshohen vetëm pas vlerësimeve individuale, kur një person konsiderohet rrezik për rendin ose sigurinë publike. Ministria pranoi se nuk disponon statistika për aplikimin e këtyre sinjalizimeve ndaj grupeve specifike.
Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës në Gjermani theksoi se është në dijeni të rasteve kur shtetas ukrainas nga territore të pushtuara ose të transferuar në Rusi janë kontaktuar ose shfrytëzuar nga shërbimet ruse të inteligjencës. Sipas saj, këto vlerësime ndahen me autoritetet e tjera gjermane dhe mund të merren parasysh në vendime të lidhura me sigurinë.
Megjithatë, disa eurodeputetë dhe organizata të të drejtave të njeriut kërkojnë që shqyrtimet të mbështeten në prova konkrete. Eurodeputeti çek Nikola Bartůšek deklaroi se kontrolli i shtuar mund të jetë i ligjshëm, por paralajmëroi se autoritetet duhet të shmangin trajtimin e viktimave të luftës si të dyshuar automatikisht.
Raste individuale të përmendura nga POLITICO tregojnë se disa ish-të burgosur ukrainas u përballën me refuzim hyrjeje në Çeki dhe Poloni për shkak të sinjalizimeve të futura nga Gjermania në SIS. Autoritetet kombëtare theksuan se janë të detyruara të zbatojnë njoftimet e vlefshme në nivel Shengen. Sipas avokatëve që përfaqësojnë këta persona, kundërshtimi i një sinjalizimi kërkon kohë dhe burime financiare që shumica e tyre nuk i kanë.
Komisioni Europian koordinon çdo vit vlerësime për zbatimin e rregullave Shengen nga shtetet anëtare, përmes ekipeve të ekspertëve kombëtarë me mbështetjen e agjencive si Frontex dhe Europol. Raportet përfundimtare përfshijnë rekomandime për secilin vend dhe përmblidhen në një “Scoreboard” vjetor.
Eurodeputetja gjermane Birgit Sippel (SPD) deklaroi për POLITICO se vlerësimet mbeten të pafuqishme nëse mungon vullneti politik për zbatimin e rregullave dhe kërkoi heqjen sa më të shpejtë të kontrolleve të brendshme për të ruajtur zonën Shengen.
Sipas një zyrtari të BE-së të cituar nga POLITICO, ekipi i vlerësimit do të përbëhet nga mbi 60 ekspertë, të cilët do të zhvillojnë vizita në terren, do të kërkojnë dokumente dhe do të analizojnë nëse mekanizmat ekzistues parandalojnë përdorimin automatik ose kategorik të sinjalizimeve në SIS.
Një raport i 4 shkurtit nga Bordi Europian për Mbrojtjen e të Dhënave vuri në dukje mungesë të dhënash të plota nga disa shtete anëtare, gjë që e bën të vështirë vlerësimin e respektimit të të drejtave të individëve në kuadër të SIS. Të dhënat e shqyrtuara nga POLITICO tregojnë dallime të mëdha mes vendeve në trajtimin e kërkesave për akses, korrigjim ose fshirje të të dhënave. Në vitin 2024, Gjermania mori 4.169 kërkesa për akses dhe miratoi rreth gjysmën e tyre, ndërsa Sllovenia, me 4.249 kërkesa, miratoi pothuajse të gjitha.
Organizata Statewatch dhe grupi për të drejtat digjitale EDRi kritikuan mungesën e transparencës dhe kërkuan që Komisioni të forcojë mbikëqyrjen ndaj autoriteteve kombëtare.
Vlerësimi i ardhshëm pritet të tregojë nëse praktikat gjermane përputhen me standardet e Shengenit dhe nëse garancitë për të drejtat individuale funksionojnë në praktikë./Përshtati "Pamfleti" nga "Politico"
Lini një Përgjigje