TAGS-AT E JAVËS

Sport 3 Korrik 2026, 21:10

“Sikur të kishe qenë qeros, ashtu nuk e prekje topin”, media kroate ironizon golin e anuluar dhe "tërbohet" pas eliminimit nga Botërori

Shkruar nga Pamfleti
“Sikur të kishe qenë qeros, ashtu nuk e prekje topin”,
goli i anuluar i Kroacisë

Tifozët dhe mediat kroate kanë reaguar me zemërim dhe zhgënjim pas eliminimit të kombëtares së Kroacisë nga Kupa e Botës, që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada. Humbja 2-1 ndaj Portugalisë në Toronto u shoqërua me polemika të forta, pas anulimit të një goli në minutat shtesë.

Portugalia siguroi kualifikimin falë golit të Gonçalo Ramos në minutën e 94-t, ndërsa episodi që dominoi pas ndeshjes ndodhi në minutën e 103-të. Mbrojtësi Josko Gvardiol realizoi golin e barazimit, por ai u anulua pas rishikimit nga sistemi VAR për një pozicion jashtë loje.

Arbitri norvegjez Espen Eskas fillimisht e kishte pranuar golin, por ndryshoi vendimin pas verifikimit të pamjeve. Sipas shpjegimit të FIFA-s, sensorët e integruar në topin zyrtar regjistruan një prekje të topit nga Igor Matanoviç gjatë ndërtimit të aksionit, çka ndikoi në vendimin për anulimin e golit.

Vendimi ka shkaktuar reagime të forta në Kroaci. Gazeta “Večernji list” kritikoi ashpër arbitrimin, duke e përmbledhur qëndrimin e saj me titullin: “Kroacia u grabit, qëllimisht.”

Edhe media sportive “N1 Sportklub” e cilësoi eliminimin si “Tragjedia në Toronto”, duke e konsideruar anulimin e golit të barazimit si momentin vendimtar që i dha fund ëndrrës së Kroacisë në këtë Botëror.

Ndërkohë, portali “Gol.dnevnik.hr” analizoi në detaje episodin e diskutueshëm dhe e komentoi me ironi vendimin e VAR-it.

Sensorët treguan se sistemi regjistroi një prekje nga sulmuesi kroat, i cili ishte argumenti kryesor i VAR-it për anulimin e golit. Në ato imazhe, duket se ai e preku topin vetëm me flokët e tij. Epo, nëse Matanoviç do të kishte qenë tullac, Kroacia do ta kishte barazuar rezultatin”, shkruan media kroate.

Pakënaqësia është reflektuar edhe në rrjetet sociale. Sipas portalit “Net.hr”, shumë tifozë e kanë cilësuar vendimin si të padrejtë dhe një “grabitje”, ndërsa nuk kanë munguar as komentet me humor, ku disa prej tyre kanë ironizuar Matanovićin duke thënë se “duhej të ishte qethur zero”.

Kroacia, nënkampione e botës në vitin 2018 dhe fituese e vendit të tretë në “Katar 2022”, e mbyll kështu aventurën në këtë edicion të Kupës së Botës pas një fushate të paqëndrueshme dhe një eliminimi që ka hapur debat të madh për vendimet e arbitrimit.

media kroate eliminimi nga kupa e botës

Lini një Përgjigje