
Presidenti amerikan Donald Trump ka dhënë falje presidenciale për një listë të gjatë aleatësh politikë, të cilët e kishin mbështetur apo qenë të përfshirë në përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, sipas njoftimit të Zyrës së Faljeve në Departamentin e Drejtësisë, të drejtuar nga Ed Martin.
Në dokumentin zyrtar të publikuar të dielën mbrëma në platformën X, Martin rendit figura të njohura si ish-avokatët e Trump-it, Rudy Giuliani, Sidney Powell, si dhe ish-shefin e kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, përfshirë dhjetëra të tjerë.
Në tekstin e faljes, që mban datën 7 nëntor dhe është nënshkruar nga vetë presidenti, thuhet:
“Kjo proklamatë i jep fund një padrejtësie të rëndë kombëtare të kryer ndaj popullit amerikan pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe shënon vazhdimin e procesit të pajtimit kombëtar.”
Dokumenti përfshin një “falje të plotë, të përfunduar dhe pa kushte” për të gjithë personat e përmendur, përfshirë disa nga bashkëpandehurit e Trump-it në dosjen e shtetit të Xhorxhias, të akuzuar për përpjekje për të përmbysur rezultatin zgjedhor të vitit 2020.
Kjo është lëvizja më e fundit e Trump-it për të shpëtuar ose mbrojtur aleatët e tij që morën pjesë në përpjekjet për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve — përpjekje që kulmuan me trazirat e dhunshme në Kapitolin e SHBA më 6 janar 2021. Në fillim të mandatit të dytë, një nga aktet e para të Trump-it ishte falja për mbi 1.000 persona të dënuar ose të akuzuar për pjesëmarrje në atë sulm.
Faljet presidenciale kanë fuqi vetëm mbi akuzat federale dhe nuk shtrihen mbi akuzat shtetërore ose lokale. Asnjë nga personat e përfshirë në listë nuk është aktualisht i akuzuar për krime federale, megjithëse disa prej tyre janë përmendur si bashkëpunëtorë të paakuzuar në hetimin federal të prokurorit special Jack Smith, i cili u tërhoq pasi Trump fitoi zgjedhjet e vitit 2024.
Megjithatë, proceset penale në nivel shteti vazhdojnë ndaj Giuliani-t, Meadows-it dhe një sërë “elektorësh të rremë” të vitit 2020 në shtetet Wisconsin, Arizona dhe Nevada. Ata e mohojnë fajësinë, por mund të përpiqen të përdorin faljen presidenciale si argument mbrojtës — edhe pse kjo nuk ka fuqi mbi akuzat shtetërore.
Në mënyrë eksplicite, falja nuk përfshin vetë Donald Trump-in.
Lista përfshin gjithashtu Jeffrey Clark, ish-zyrtar të lartë të Departamentit të Drejtësisë në vitin 2020, i cili përpiqej të përdorte kompetencat e institucioneve federale për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve. (Sot Clark mban post në Zyrën e Menaxhimit dhe Buxhetit të Shtëpisë së Bardhë.) Ai, ashtu si Giuliani dhe Powell, ishte bashkëpunëtor i paakuzuar në aktakuzën federale të lidhur me ndërhyrjet në zgjedhje.
Sidney Powell dhe Rudy Giuliani, të dy si avokatë personalë të Trump-it, ishin në qendër të teorive konspirative të pabazuara që pretendonin se zgjedhjet e vitit 2020 i ishin “vjedhur” presidentit republikan. Giuliani kishte udhëhequr planin e “elektorëve të rremë” për të penguar certifikimin e fitores së Joe Biden-it në Kongres më 6 janar 2021, përmes dokumenteve të falsifikuara që shpallnin fitore të rreme të Trump-it në disa shtete.
Dy arkitektët kryesorë të këtij plani – Ken Chesebro dhe John Eastman – janë gjithashtu falur. Chesebro më parë kishte pranuar fajësinë në aktakuzën për manipulimin zgjedhor në Xhorxhia.
Në listë përfshihen edhe Jenna Ellis, avokate e fushatës së Trump-it në vitin 2020, si dhe ish-kryetarja e Partisë Republikane të Arizonës, Kelli Ward, bashkë me bashkëshortin e saj, Michael Ward.
Lini një Përgjigje