Dronë, mjete të shpejta detare dhe mina: mekanizmi i kontrollit të Teheranit mbi një korridor strategjik
Vështirësia në hartëzimin e minave detare mbetet një nga sfidat kryesore. Teherani, edhe pse i dobësuar në aspektin ushtarak, gjendet sot më i fortë dhe më i rëndësishëm në skenën ndërkombëtare, me aftësinë për të ushtruar presion mbi ekonominë botërore.
Mjete të vogla detare të armatosura dhe shumë të shpejta, dronë, mina detare, raketa dhe sisteme me rreze të shkurtër janë armët që Irani është i gatshëm të përdorë menjëherë për të vendosur kontrollin ushtarak mbi ngushticën e Hormuzit.
Në pikën e saj më të ngushtë, rreth 35 kilometra ndajnë brigjet iraniane nga ato të Omanit. Nuk kërkohen domosdoshmërisht armë të sofistikuara: mjaftojnë vendosmëria për të goditur dhe aftësia për të bërë të qarta synimet, për të paralizuar cisternat e naftës dhe çdo anije transporti. Asnjë kompani sigurimi apo shoqëri detare nuk është e gatshme të rrezikojë kapitalet e saj në kushte të tilla, shkruan Corriere.
Për Teheranin mjafton edhe kërcënimi apo dëmtimi i lehtë i një anijeje për të imponuar diktatin e tij mbi këtë rrugë jetike ujore, nga e cila kalon 1/5 e naftës botërore. Edhe anijet patrulluese amerikane, pavarësisht sistemeve të tyre shumë të avancuara të mbrojtjes dhe sulmit, shmangin lundrimin nga afër në Hormuz.
Orët e fundit janë shënuar nga një përshkallëzim i krizës dhe madje nga rreziku i rifillimit të konfliktit të armatosur, me Teheranin që rikthehet te kërcënimi për mbylljen e Hormuzit si përgjigje ndaj bllokadës së vendosur nga Uashingtoni ndaj trafikut të tij detar. Kjo situatë rikthen në vëmendje pasojat afatgjata të përballjes mes SHBA-së, Izraelit dhe Republikës Islamike. Para sulmit të 28 shkurtit, çështja e Hormuzit nuk ishte në qendër të agjendës; fokusi ishte te programi bërthamor dhe sistemi raketor iranian. Sot, megjithatë, Irani, ndonëse i dobësuar ushtarakisht, rezulton më i rëndësishëm në skenën ndërkombëtare.
Bllokada e re rikthen kushtet që Irani kishte paraqitur gjatë fazave më të nxehta të konfliktit, përpara armëpushimit pas bisedimeve në Pakistan. Së pari, çështja e tarifave: “Anijet në tranzit duhet të paguajnë një taksë për sigurinë dhe mbrojtjen e mjedisit”, njoftoi Këshilli i Lartë për Sigurinë Kombëtare. Në të kaluarën është folur për tarifa që mund të arrijnë deri në dy milionë dollarë. Kreu i këtij këshilli, Ebrahim Azizi, shtoi se anijet me autorizim të rregullt duhet të ndjekin korridoret e përcaktuara muajin e kaluar.

Irani kërkon që lundrimi të kryhet brenda ujërave të tij dhe jo në korridorin paralel më pranë brigjeve të Omanit. Sipas analizës, kjo synon të forcojë sovranitetin e Teheranit mbi Hormuzin dhe ta shndërrojë atë në një kontroll të drejtpërdrejtë. “Rregullat e kalimit i përcakton Irani, jo njoftimet në rrjetet sociale”, deklaroi Azizi, duke iu referuar komenteve të ish-presidentit amerikan Donald Trump. Ai theksoi gjithashtu se “njësitë ushtarake të vendeve armiqësore” nuk mund të kalojnë.
Për çdo tentativë për të shkelur bllokadën, mbetet në fuqi paralajmërimi i bërë nga Udhëheqësi Suprem, Ajatollah Mojtaba Khamenei. “Marina iraniane është e gatshme t’u shkaktojë humbje të reja të rënda armiqve tanë”, paralajmëroi ai.
Ndër mjetet më efektive në dispozicion të Gardës Revolucionare (Pasdaranëve) është e ashtuquajtura “flota e mushkonjave”: qindra mjete të vogla që arrijnë shpejtësi deri në 100 nyje, lëvizin me shpejtësi shumë të lartë mbi ujë, janë të pajisura me mitralozë të rëndë dhe torpedo, dhe mund të përdoren edhe për sulme vetëflijuese.
Forcat amerikane dhe izraelite kanë dëmtuar ose fundosur një pjesë të madhe të flotës konvencionale iraniane, por jo këto mjete të vogla, të cilat janë të strehuara në shpella dhe zgavra përgjatë bregdetit dhe mbështeten nga të paktën dhjetë baza operative.
Zhvillimet në luftën në Ukrainë kanë treguar efektivitetin e dronëve në operacione të koordinuara kundër objektivave detare. Dronët detarë ukrainas kanë arritur të godasin flotën ruse në Detin e Zi. Në këtë kontekst, sipas analizës, Irani në Hormuz vazhdon të ketë mjete të konsiderueshme për të ndikuar në zhvillimet në terren. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje