TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 9 Maj 2025, 21:19

Një botë e ndarë 80 vjet pas fitores ndaj nazizmit

Shkruar nga Pierre Haski
Një botë e ndarë 80 vjet pas fitores ndaj nazizmit
80-vjetori i çlirimit të Evropës

Në realitet, ne po jetojmë në një fazë të riformatimit të plotë të botës.

Nëse ka një përvjetor që duhet të bashkojë në vend se të përçajë, ky duhet të jetë me siguri ai i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1945, Bashkimi Sovjetik, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë dolën fitimtarë nga beteja kundër Gjermanisë naziste.

Disa muaj më herët, Franklin Roosevelt, Winston Churchill dhe Josif Stalin e kishin përjetësuar aleancën e tyre në një foto të bërë në Jaltë, në Krime, e cila atëherë ishte pjesë e territorit sovjetik. Vazhdimi njihet shumë mirë nga të gjithë: Lufta e Ftohtë, rënia e Murit të Berlinit, shkrirja e akujve midis 2 blloqeve kundërshtare. dhe së fundmi kthimi i “epokës akullnajore” midis Lindjes dhe Perëndimit.

Në këto kushte, është bërë përçarës edhe festimi i fitores ndaj nazizmit. Tetëdhjetë vjet pas asaj ngjarjeje, më 8 maj në Evropë, dhe më 9 maj në Moskë - për shkak të ndryshimit kohor - përkujtimi i fitores ka shijen e barutit: lufta është rikthyer në kontinent, duke i vendosur në mënyrë paradoksale kundër njëri-tjetrit aleatët e vitit 1945.

Ajo që e ndërlikon situatën, është fakti se Shtetet e Bashkuara, udhëheqëse e “botës së lirë” - siç e quanin dikur gjatë Luftës së Ftohtë - e gjejnë veten me Donald Trumpin në krye, që po e vë seriozisht në pikëpyetje rendin ndërkombëtar të ndërtuar në vitin 1945 duke u afruar në një aleancë të diskutueshme me Rusinë.

Në Moskë, teatri diplomatik bëhet më simbolik. Tre vjet pas pushtimit të Ukrainës, Vladimir Putin dëshiron që t’u tregojë perëndimorëve se ka dështuar përpjekja e tyre për ta izoluar. Miku i tij kinez Xi Jinping, udhëheqësi i ekonomisë së dytë më të madhe në botë, ndodhet në Rusi që nga e mërkura.

Ushtarët kinezë do të marshojnë përkrah atyre rusë në Sheshin e Kuq. Udhëheqës të tjerë të huaj kanë vendosur të jenë të pranishëm në Moskë, përfshirë kryeministrin e një vendi evropian, sllovakun Robert Fico, i cili ka dalë nga rreshti dhe po shkon që të duartrokasë paradën e ushtrisë ruse ndërsa Ukraina vazhdon që të bombardohet.

E njëjta gjë vlen edhe për Aleksandar Vuçiç, presidentin e Serbisë, vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që megjithatë e vendos nacionalizmin sllav para çdo lloj konsiderate tjetër.

Por fitorja e madhe e Putinit përfaqësohet nga pjesëmarrja e presidentit brazilian Injacio Da Silva Lula, që duke shkuar në Moskë mendon se po mbron një lloj mos-angazhimi, por në realitet po e miraton hapur shkeljen e Kartës së Kombeve të Bashkuara nga ana e Rusisë.

Ky qëndrim i Lulës, lidhet gjithashtu me një anti-imperializëm anakronik. Në realitet, ne po jetojmë në një fazë të riformatimit të plotë të botës. Institucionet e lindura pas vitit 1945, si për shembull Kombet e Bashkuara janë në krizë, ndërsa marrëdhëniet e pushtetit po e dominojnë përsëri skenën ndërkombëtare, ashtu siç bënin në shekullin XIX.

Sot nuk ka vetëm dy blloqe, si në Luftën e Ftohtë, por kemi një botë të fragmentuar që ende nuk e di se si do të përfundojë kjo histori. Me agresionin e tij kaotik, presidenti amerikan Donald Trumpi e ka përshpejtuar dekompozimin e rendit botëror.

Klubi i 9 Majit në Moskë, përfiton nga efekti pengues i Trumpizmit. Sigurisht, ndër përfituesit më të mëdhenj të situatës janë presidenti Xi Jingping dhe ai rus Vladimir Putin. Dy vjet më parë, ata njoftuan se bota po përjetonte ndryshime që nuk ishin parë për një kohë të gjatë, dhe se Kina dhe Rusia ishin dy forcat kryesore pas këtij ndryshimi.

Ndërkohë, presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara po sillet në një mënyrë të tillë që i ka ringjallur ambiciet e tyre. Më 9 maj, evropianët do të preferojnë një tjetër festë, atë të “Ditës së Evropës”, për të përkujtuar 75-vjetorin e Deklaratës Shuman, certifikatës së lindjes së projektit evropian. Secilit nderon simbolet e veta. Edhe kjo quhet Luftë e Ftohtë./ Përshtati "Pamfleti" nga “France Inter”

Lini një Përgjigje