![]()
Trump ndryshon lojën: Jo armëpushim, por marrëveshje paqeje me Putinin
Më pak se 24 orë më parë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi para gazetarëve në bord të Air Force One se “nuk do të ishte i lumtur” nëse Vladimir Putin nuk pranonte një armëpushim deri të premten. Por mëngjesin e sotëm qëndrimi i tij ndryshoi.
“Nga të gjithë u vlerësua se mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës së tmerrshme mes Rusisë dhe Ukrainës është një Marrëveshje Paqeje e drejtpërdrejtë, e cila do të ndalte luftën, e jo thjesht një Marrëveshje Armëpushimi, që shpesh nuk zgjat,” shkruhej në deklaratë.
Ky ndryshim qëndrimi, që mund të duket si një detaj i vogël në mozaikun e madh të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës më të madhe tokësore në Europë pas dekadash, për Ukrainën është çështje ekzistenciale.
Kievit dhe aleatëve të tij europianë iu desh e gjithë java e fundit për të bindur Trump se një armëpushim i menjëhershëm ishte thelbësor, duke paralajmëruar se Rusia mund ta përdorte kohën e negociatave për të intensifikuar ofensivën. Vetë Ukraina ka sinjalizuar javët e fundit se Moska po grumbullon trupa dhe po përgatit operacione të reja për në vjeshtë.
Edhe pse Ukraina ka ushtrinë e dytë më të madhe në Europë, Rusia – me ushtrinë më të madhe në kontinent – është në gjendje të dislokojë 110 mijë trupa vetëm në një sektor të frontit lindor, një forcë më e madhe se e gjithë ushtria britanike.
Një marrëveshje paqeje do të thotë gjithashtu ballafaqim me çështje të pazgjidhshme: Moska kërkon të pushtojë të gjithë lindjen e Ukrainës, ndërsa Kievi refuzon të heqë dorë nga çdo pëllëmbë toke ndaj pushtuesit.
“I rëndësishëm fakti,” shkroi ish-presidenti rus Dmitry Medvedev të shtunën, “takimi [në Alaskë] tregoi se negociatat janë të mundshme pa parakushte, ndërkohë që Operacioni Special Ushtarak vazhdon.” /CNN
Lini një Përgjigje