
Psikiatrit janë të alarmuar nga përkeqësimi i gjendjes mendore të Donald Trump. Problemet u vunë re që në mandatin të tij të parë por tani situata është më e rëndë. Ai bën shpesh shaka në momente të papërshtatshme dhe përdor fjalë të pista. Fjalori i tij tashmë i kufizuar vazhdon të tkurret, ndërsa si e folura ashtu edhe veprimet e tij po bëhen më impulsive.
Të premten e datës 11 prill, Donald Trump iu nënshtrua një ekzaminimi mjekësor 5-orësh. “Presidenti Trump gëzon një shëndet të shkëlqyer fizik, të aftësive njohëse, dhe është plotësisht i aftë për të kryer detyrat e Komandantit të Përgjithshëm dhe Kryetarit të Shtetit”- deklaroi pas ekzaminimit mjeku i tij personal, Sean Barbabella.
Po ashtu, Trump iu nënshtrua edhe testit të Vlerësimit të Aftësive Njohëse të Montrealit (MoCA), ku mori 30 pikë nga 30 të mundshmet. Atë mbrëmje, ai iu mburr gazetarëve që gjendeshin në bordin e Air Force One: “I dhashë të gjitha përgjigjet e sakta!”.
Dhe mediat raportuan njëra pas tjetrës media se presidenti kishte “kaluar me sukses një test të aftësive njohëse”. Problemi është se MoCA nuk është një test në kuptimin klinik, por vetëm një grup bazë pyetjesh për shqyrtimin e aftësive të një personi.
Ai përmblidhet në një faqe të vetme, dhe mesatarisht një personi i duhet rreth 10 minuta për ta plotësuar. Statistikisht, është një mjet i dobishëm për identifikimin e demencës në popullatën e përgjithshme. Por ndjeshmëria e tij është aq e ulët, sa që edhe një rezultat i përsosur, mund të mos identifikojë dot dëmtimet seriozë në aftësitë njohëse.
“Nuk ka asnjë tregues që të na thotë se ekzaminimi i fundit mjekësor i Donald Trumpit, përfshinte një test të vërtetë njohës”- tha për The Insider psikiatria amerikane Bandy Lee. Ajo ka dhënë mësim për 17 vjet në Shkollën e Mjekësisë në Universitetin e Jeilit, është autore e një libri shkollor mbi parandalimin e dhunës, ka punuar në reformën e burgjeve në SHBA dhe shërbyer si konsulente e OKB-së për luftimin e dhunës ndaj fëmijëve.
Që nga viti 2017, ajo është përqendruar tek shëndeti mendor i Trump, duke botuar 3 libra dhe shumë artikuj mbi këtë çështje. Lee thotë se vuri re për herë të parë shenja të problemeve neurokonjitive të Trumpit që në vitin 2017, dhe që atëherë gjendja e presidentit është përkeqësuar vazhdimisht.
Vitin e kaluar, Koalicioni Botëror i Shëndetit Mendor, të cilin e drejton dr.Lee, lëshoi një deklaratë të firmosur nga 50 psikiatër mjeko-ligjorë, neuropsikologë dhe ekspertë shquar të demencës.
Dokumenti i publikuar më 3 nëntor 2024, rendit simptomat që tregojnë një shëndet mendor të përkeqësuar të Donald Trump: një fjalor më të thjeshtë, fjali të paplota dhe jo koherente, gabime gramatikore dhe parafazi (një çrregullim i të folurit, në të cilin njerëzit zëvendësojnë, ri-rregullojnë ose shtrembërojnë fjalët), deklarata të papërshtatshme ose të paqarta që nuk kanë lidhje me realitetin dhe “këmbëngulje”, përsëritja kompulsive e të njëjtave mendime ose ide pavarësisht kontekstit.
Po ashtu, ekspertët përmendën përdorimin gjithnjë e më të shpeshtë nga Trump të fjalëve të pista dhe plot urrejtje, si dhe shenjave gjithnjë e më të theksuara të narcizmit “mandibular”. Sa i përket parafazive, disa nga fjalët e shpikura të Trump u bënë virale që gjatë mandatit të tij të parë, siç është termi misterioz ‘covfefe’, produkt i një postimi në Twitter në orët e vona të natës.
Ndërkohë gjatë garës presidenciale të vitit të kaluar, dolën në pah shembuj të rinj të parafazisë. Harry Segal, profesor i psikologjisë në Universitetin Cornell, ka vërejtur shenja të demencës së hershme tek presidenti amerikan.
“Është shumë alarmante rritja e numrit të fjalimeve dhe vendimeve politike të çuditshme të Trump. Ai dha një përgjigje aq të paqartë në lidhje me kujdesin ndaj fëmijëve në fjalimin që mbajti në Klubin Ekonomik të Nju Jorkut, sa që shqetësoi seriozisht edhe mbështetësit e tij… Trump ka shfaqur shenja të sëmundjes së demencës gjatë vitit të kaluar, siç tregohet nga ecja e tij e çuditshme, parafazia fonemike…dhe rënia e kompleksitetit të fjalëve dhe koncepteve të tij. Ky kapacitet i kufizuar, shpjegon performancën e tij të dobët në debate”- thekson eksperti.
Segal beson se kjo është arsyeja pse Donald Trump refuzoi të debatonte me Kamala Harris për herë të dytë, dhe pse fjalimet e tij janë bërë më impulsive. Ndërkohë psikologu John Gartner, tha në një intervistë të kohëve të fundit se ka mbledhur dhjetëra shembuj të gabimeve verbale të bëra nga presidenti që nga rimarrja e detyrës.
“Ai përpiqet të thotë një fjalë, e thotë pjesën e parë, por pastaj improvizon sepse nuk mund ta kujtojë dot pjesën tjetër. Kështu Trump thotë termin ‘mishiz’ për raketat, ose “Chrishus’ për Krishtlindjet, sepse nuk mund ta përfundojë fjalën”- thekson ai.
Gartner beson se media i redakton enkas citimet e presidentit duke hequr pjesët më absurde. Një muaj para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, gazeta The New York Times nisi të analizonte fjalimet publike të Trump, për të parë se si kanë ndryshuar ato me kalimin e viteve.
Analiza zbuloi se fjalimet e tij në tubime në vitin 2024, ishin bërë pothuajse dy herë më të gjata - mesatarisht 82 minuta, krahasuar me 45 minuta në vitin 2016. Ndërkohë ai përdorte 69 për qind më shpesh fjalë të pista. Edhe disa ish-bashkëpunëtorë të intervistuar nga gazeta, konfirmuan se stili i të folurit të Trump ka ndryshuar ndjeshëm.
Ish-zëvendëssekretarja e medias në Shtëpinë e Bardhë, Sarah Matthews, tha: ”Unë nuk mendoj se dikush e ka konsideruar ndonjëherë Trumpin një orator të shkëlqyer. Por fjalimet e tij të fundit, duken vërtet më pak koherente. Ai është bërë edhe më i çrregullt, dhe ka disa momente që është dukshëm konfuz. Kur garoi kundër Joe Biden në vitin 2020, kjo të mos ishte dhe aq e qartë”.
Agjencia e lajmeve mjekësore STAT kreu studimet e veta. Në vitin 2017, ajo krahasoi modelet e të folurit të Trump me paraqitjet e tij publike nga vitet 1980. Në një analizë pasuese, ekspertët zbuluan se që nga viti 2017, stili i të folurit të Trump ishte përkeqësuar më tej.
Sipas tyre, disa nga ndryshimet në stilin e të folurit të ish-presidentit ishin shenja të mundshme të rënies së aftësive njohëse. Bandy Lee beson se problemet e të folurit të Donald Trumpit lidhen me humbjen e kujtesës, fjalorin shpesh të pahijshëm dhe gjuhën e urrejtjes.
Për librin e saj më të fundit, të shkruar në bashkëpunim me 36 profesionistë të tjerë të shëndetit mendor, Lee përdori një mjet të njohur si Lista e Kontrollit të Psikopatisë Hare.
Ajo vlerëson fakte biografike dhe të vëzhgueshme - nga mungesa e ndjeshmërisë dhe problemet e hershme të sjelljes, deri tek shthurja morale dhe mungesa e qëllimeve realiste afatgjata.
Lista e kontrollit plotësohet nga një klinicist, bazuar në informacionin e njohur publikisht rreth subjektit. Çdo kriter vlerësohet deri në 2 pikë, për një total maksimal prej 40 pikësh. Një rezultat prej 30 ose më i lartë, përdoret zakonisht për të diagnostikuar psikopatinë. Kriminelët e dënuar, vlerësohen përgjithësisht midis 22 dhe 24 pikëve, ndërsa mesatarja për popullsinë e përgjithshme është 5-6 pikë. Trump mori 36 pikë në këtë test, norme që Lee e përshkruan si “jashtëzakonisht të lartë”.
Situata, paralajmëron ajo po përkeqësohet me kalimin e kohës, pasi të gjitha simptomat psikiatrike janë biopsikosociale, gjë që do të thotë se ato ndikohen nga mjedisi shoqëror i personit. Dhe ndikimin kryesor e kanë njerëzit përreth tij.
“Sot, ai është i rrethuar nga lajkatarë dhe servilë, funksioni kryesor i të cilëve është të përforcojnë iluzionet e tij, në mënyrë që ai të mund të mohojë paaftësinë dhe papërshtatshmërinë e tij për postin që mban”- thekson Lee.
Por analiza psikologjike më interesante, vjen nga një person që ka kaluar shumë kohë me Donaldin: mbesa e tij, psikologia klinike Mary Trump. Libri i saj i vitit 2020, “Tepër dhe asnjëherë mjaftueshëm”, një biografi psikologjike e xhaxhait të saj, u bë një nga librat më të shitur.
Mary beson se personaliteti i presidentit të ardhshëm u formua nga babai i tij - gjyshi i saj Fred Trump, të cilin ajo e përshkruan si një sociopat me funksione të larta. Nëna e Donaldit, e quajtur gjithashtu Mary, portretizohet si e sëmurë fizikisht dhe mendërisht, dhe plotësisht e nënshtruar ndaj vullnetit të burrit të saj.
Autorja tregon se si personazhi i Donald Trump u formua nën ndikimin e babait të tij autoritar dhe manipulues, Fred Trump, që sillej shumë keq me djalin e tij të madh - babain e Mary-t, Fred Jr. - dhe se si kjo mënyrë edukimi, e bëri presidentin e ardhshëm një njeri mizor dhe të pandjeshëm.
Në vitin 2018, Kongresi i SHBA-së po diskutonte mundësinë e largimit të Trump nga pushteti për arsye mjekësore. Formalisht, kjo mund të bëhej duke përdorur Amendamentin e 25-të të Kushtetutës së SHBA-së, i cili u miratua pas vrasjes së presidentit John F.Kennedy-t, me qëllim përcaktimin e procedurës për transferimin e pushtetit në rast se një president sëmuret rëndë ose konsiderohet i paaftë për të ushtruar detyrën.
Sigurisht, fakti që Trump ka fituar 2 nga 3 zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA, mund të duket si një pikë në favor të argumentit se presidenti po ia del mbanë shumë mirë nga ana e aftësive njohëse, të paktën në sytë e mbështetësve të tij. Por për Bandy Lee, kjo është një shenjë se çrregullimi i Trump po përhapet.
Ajo e shkruan kështu në librin e saj të vitit 2024: ”Tani, jemi të rrezikuar jo vetëm nga një individ i paqëndrueshëm, që ka komandën e vetme mbi mijëra arsenale bombash termonukleare që mund ta shkatërrojnë planetin shumë herë, por nga një përhapje simptomash në të gjithë kombin dhe botën, aq sa shumica e popullsisë e ka humbur aftësinë për të parë se ka diçka që nuk shkon”. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Insider”
Lini një Përgjigje