TAGS-AT E JAVËS

Kronike 7 Korrik 2026, 18:41

Në pranga pas arratisjes së Hasan Ferracakut, Gjykata e Shkodrës liron 4 efektivët

Shkruar nga Pamfleti
Në pranga pas arratisjes së Hasan Ferracakut, Gjykata e Shkodrës
Hasan Ferracaku

Gjykata e Shkodrës ka liruar katër punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët u arrestuan pak ditë më parë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) në lidhje me arratisjen e Hasan Ferracakut nga masa e sigurisë "arrest në shtëpi".

Bëhet fjalë për inspektorët Dorjan Hasandoçaj, Gentian Xhanari dhe Dioniz Hotaj, si edhe punonjësin Ridvan Zefi, të gjithë me detyrë pranë Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare në Shkodër.

Arrestimi i tyre u krye pasi AMP konstatoi se Hasan Ferracaku nuk ndodhej në banesën ku duhej të mbahej nën mbikëqyrje, megjithëse ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë "arrest në shtëpi". Ndaj Ferracakut rëndon dyshimi për veprën penale "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit".

Ferracaku u arratis më 2 korrik nga banesa e tij në Shkodër, pavarësisht se, sipas autoriteteve, ruhej 24 orë në ditë nga efektivë të Policisë. Ende nuk dihen rrethanat se si ai arriti t'i shmangej mbikëqyrjes.

Hasan Ferracaku është një prej të dyshuarve për masakrën e ndodhur në Velipojë pesë vite më parë, ku humbën jetën katër persona: Kujtim Ferracaku, Edmond Gocaj, Xhovan Gocaj dhe kamarieri Myzerim Zeneli. Nga ajo ngjarje mbetën të plagosur edhe vetë Hasan Ferracaku dhe nipi i tij, atëherë 17 vjeç.

Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të arratisjes së Ferracakut vijojnë.

Lini një Përgjigje