
Një avion me pasagjerë, që udhëtonte nga Mbretëria e Bashkuar drejt Egjiptit është detyruar të bëjë ulje emergjente në Kretë, për shkak të sjelljes së çuditshme të një pasagjereje.
Britanikja 38-vjeçare, e cila udhëtonte me bashkëshortin dhe fëmijën e saj të vogël, ishte në gjendje të dehur.
Ajo refuzoi të zbatonte udhëzimet e ekuipazhit dhe u bë agresive, duke e vënë në rrezik sigurinë e fluturimit.
Për këtë arsye, kapiteni kërkoi devijimin e avionit dhe u ul në aeroportin e Heraklionit, ku policia greke e arrestoi pasagjeren sapo u hapën dyert e aeroplanit.
Në vend të mbërrinte në Egjipt për pushime, ajo përfundoi në paraburgim dhe pritet të përballet me akuzat për sjellje të rrezikshme në bord.
Udhëtarë të tjerë e përshkruan gruan si “jashtë kontrollit”.
Ky rast është i përsëritur. Vetëm këtë javë, një fluturim i Ryanair nga Londra për në Alicante u detyrua të ulej në Tuluzë, pasi një pasagjer britanik u përpoq të hapte daljen emergjente. Ndërsa muajin e kaluar, një fluturim nga Mançesteri për në Ibiza u vonua pasi një pasagjer i dehur refuzoi të vendoste rripin e sigurimit dhe u nxor zvarrë nga policia, mes brohoritjeve të udhëtarëve të irrituar.
Lini një Përgjigje