TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Shkurt 2026, 14:27

Përfundimi i marrëveshjes START; SHBA, Kina dhe sfidat e rendit bërthamor

Shkruar nga Pamfleti
Përfundimi i marrëveshjes START; SHBA, Kina dhe sfidat e rendit
Donald Trump dhe Xi Jinping

Akuzat e Uashington kundrejt Kinës për testet sekrete bërthamore, po hapin një front të ri  konfrontimi strategjik, duke vënë në pikëpyetje regjimin ekzistues të moratoriumit bërthamor dhe duke krijuar skenarë të mundshëm përshkallëzimi në nivel ndërkombëtar.

Shtetet e Bashkuara akuzojnë Kinën se ka kryer një provë bërthamore sekrete në vitin 2020. Sipas një raportimi të ëashington Post, si Pekini ashtu edhe Moska dyshohet se kanë shkelur moratoriumin informal. Uashingtoni pretendon se Kina ka ndërhyrë edhe në sistemet ndërkombëtare të monitorimit sizmik për të fshehur testimet. Në këtë kontekst, autoritetet amerikane thonë se kanë arsye të ndjekin “hapa paralelë”, ndërsa moratoriumi disadekadësh i testeve bërthamore mes fuqive të mëdha po shembet.

Nënsekretari amerikan i Shtetit për Kontrollin e Armëve, Thomas DiNano, deklaroi në Konferencën për Çarmatimin në Gjenevë se Kina po përgatit teste “me rendimente të specifikuara prej qindra tonësh” dhe ka ndërhyrë në sistemet ndërkombëtare të monitorimit sizmik për të fshehur shpërthimet e mëparshme.

“Sot mund të zbuloj se qeveria amerikane është në dijeni se Kina ka kryer teste bërthamore… Kina kreu një provë të tillë me një rendiment më 22 qershor 2020”, tha DiNano. Ai shtoi se Rusia po e ndihmon Pekinin në zhvillimin e materialit të zbërthyeshëm të nivelit ushtarak, të nevojshëm për furnizimin e arsenalit bërthamor kinez.

Rinovimi i marrëveshjes së re START

Deklaratat e DiNano-s i dhanë një kontekst të ri njoftimit të Presidentit Donald Trump, i cili një ditë më parë tha se nuk do të kërkonte rinovimin e traktatit të Ri START, marrëveshja e fundit madhore dypalëshe për kontrollin e armëve bërthamore mes Uashingtonit dhe Moskës. Në një postim në Truth Social, Trump deklaroi se SHBA-të do të synonin në vend të kësaj një marrëveshje “të re, të përmirësuar dhe të modernizuar”.

Në dhjetor, Trump njoftoi se kishte urdhëruar rifillimin e menjëhershëm të testimeve bërthamore amerikane, të cilat SHBA-të nuk i kanë kryer që nga viti 1992, duke përmendur nevojën për t’iu përgjigjur asaj që ai e përshkroi si testime sekrete nga Rusia dhe Kina.

“Shkeljet e vazhdueshme ruse, rritja e rezervave globale dhe të metat në hartimin dhe zbatimin e Ri START u japin Shteteve të Bashkuara një mandat të qartë për të ndjekur një arkitekturë të re që adreson kërcënimet e sotme, jo ato të një epoke të kaluar”, tha DiNano.

Ai theksoi se kufizimet e vendosura ndaj SHBA-së përmes moratoriumit të njëanshëm me Rusinë kanë kontribuar në ndërtimin e shpejtë të arsenalit bërthamor të Kinës.

DiNano deklaroi gjithashtu se Rusia ka testuar me sukses raketën bërthamore Burevestnik (Skyfall) dhe mjetin nënujor pa pilot të armatosur bërthamor Poseidon (Doomsday) në muajt e fundit, por nuk dha detaje mbi provat që mbështesin këto vlerësime amerikane.

Ambasada kineze në Uashington nuk iu përgjigj drejtpërdrejt akuzave për testin e vitit 2020, por deklaroi se Kina i përmbahet një moratoriumi mbi testet bërthamore dhe politikës së “mos përdorimit të parë” të armëve bërthamore. Zëdhënësi Liu Pengyu tha se Pekini shpreson që SHBA-të të respektojnë angazhimin e tyre për moratorium dhe të ndërmarrin masa konkrete për të ruajtur regjimin ndërkombëtar të çarmatimit dhe mospërhapjes bërthamore. Ambasada ruse nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Çfarë do të kërkojë Shtëpia e Bardhë?

DiNano tha se Shtëpia e Bardhë do të shtyjë për një marrëveshje më të gjerë, që shkon përtej kornizës dypalëshe me Rusinë, duke synuar përfshirjen e Kinës dhe shteteve të tjera bërthamore. Ai pranoi se një proces i tillë do të ishte i vështirë. “Nuk mund të premtojmë se ky proces do të jetë i shpejtë apo i lehtë”, tha ai.

Kina historikisht ka refuzuar t’u bashkohet marrëveshjeve të tilla, duke argumentuar se arsenali i saj bërthamor është shumë më i vogël se ai i Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Megjithatë, ajo deklaron se respekton një moratorium vullnetar sipas Traktatit Gjithëpërfshirës të Ndalimit të Testeve Bërthamore (CTBT), të cilin e nënshkroi në vitin 1996, por nuk e ka ratifikuar.

Ngrirje e plotë e dialogut bërthamor Uashington–Pekin

Një raport i Pentagonit, i publikuar në dhjetor, vlerëson se Kina ka pak më shumë se 600 koka bërthamore dhe mbetet në rrugën për të arritur rreth 1,000 deri në vitin 2030. Për krahasim, Rusia zotëron rreth 4,300 koka bërthamore dhe Shtetet e Bashkuara rreth 3,700, sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm.

Përpjekjet për përfshirjen e Kinës në një marrëveshje të re janë komplikuar nga një ngrirje pothuajse totale e dialogut bërthamor mes Uashingtonit dhe Pekinit në vitet e fundit, e cila u thellua në vitin 2024 kur Kina pezulloi bisedimet në reagim ndaj shitjeve amerikane të armëve për Tajvanin.

Analistët vërejnë se akuzat amerikane mbështeten edhe në imazhe satelitore dhe dokumente qeveritare, të cilat tregojnë një zgjerim të shpejtë të objekteve kyçe të programit bërthamor kinez, përfshirë kompleksin sekret të Lop Nur, ku dyshohet se janë kryer teste me rendiment të ulët.

donald trump xi jinping marrevehsja smart rendi berthamor

Lini një Përgjigje